Berisha krahason SPAK me shpellat e mafies: Refuzuan të marrin provat

Nga A2 CNN
23 Janar 2024, 12:43 | Politikë

Përpara se të hynte në shtëpinë e tij, ku qëndron prej 30 dhjetorit me masë sigurie, Sali Berisha lëshoi edhe njëherë akuza ndaj SPAK, duke i krahasuar ambientet e Strukturës së Posaçme antikorrupsion me shpellat e mafies.

Ish-kryeministri deklaroi para gazetarëve se denoncoi të gjitha shkeljet e prokurorëve, të cilët sipas tij refuzuan të pranojnë provat.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të përshëndetesha me mbështetësit, por kënaqësia ishte e shumëfishtë të vazhdoj betejën. Sot ishte një ditë triumfi në skutat më të errëta të organizatës kriminale që quhet SKAP. Aty gjeta sot një situatë të denjë për shpella mafie. Njerëz në terror. Edi Rama në një karrige, McGonigal ngjitur me të, Bajrot me ta. I kishin mbledhur të gjithë kriminelët me të cilët janë të lidhur. Unë u thashë se jam këtu në respekt të një parimi, se kush thërritet duhet të paraqitet. Denoncova aktet e tyre antikushtetuese të përgatitur nga Rama.

Denoncova Ramën që i përdor si mercenarë dhe për të përjashtuar nga parlamenti kundërshtarin politik, duke luftuar kundër pluralizmit. Rrëzova piramidën e mashtrimit që kanë ndërtuar. Njerëz që nuk kanë moral janë të detyruar ta mbajnë. Denoncova refuzimin e provave në një akt të pashembullt, të cilat faktonin me ekspertizë se çdo qindarkë është e dokumentuar. Ato faktonin se nuk ka shkelje ligjore, përveç Ramës që ka marrë 1500 m tokë të familjes Begeja e dhuruar për shkollë.

Shtrova një seri pyetjesh. Denoncova vendimin e tyre që nuk më lejon të shkoj në parlament. Gjeta një atmosferë terrori. U thashë që jeni të pashpresë”, tha Berisha mes të tjerash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos