Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se do të pësojë fatin e McGonigalit.
"Mendoj të thërrasim këtu kreun tuaj, t'i kërkojmë llogari për vjedhjet e parave të taksapaguesve amerikanë. Ti kërkojmë llogari mbi udhëtimin e tij në Mynih, suksesin e madh që pati, që u bë personazhi kryesor aty, si njeriu që arreston lider të opozitës, që mbyll tik tokun, që arreston gazetarët, si njeriu që vendos censurë, e patë vetë ju. 10 milionë dollarë vetëm një projekt. A mund të ndodhë një gjë e tillë. Është 100% e vërtetë. Problemi është ky, se tani u doli boja të gjithave. Ai që vinte dhe përgëzonte prokurorin se arrestove Sali Berishën, që vinte e mashtronte shqiptarët se Edi Rama është lider i jashtëzakonshëm se kishte korruptuar McGonigalin, ai tani do të shkojë para drejtësisë amerikane. Ai është një ‘non grata’ nuk futet dot në asnjë ndërtesë qeveritare, ai miku juaj, ai miku që korruptuat ju për të sanksionuar Sali Berishën", tha Berisha, shkruan A2.
"Por, nuk jam këtu për veten time. Jam për interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, nuk merrem me gjëra personale. Ndaj mos i ngatërroni gjërat, se po të jetë për personale, kam të tjera unë. Mendoni ju se persekutori numër 1, nga më kryesorët e presidentit Donald Trump, aventurierin McoGonigal, i korruptuari i Edi Ramës. Nuk do e marrë Edin me vete, e keni gabim. Edi do të shkojë me të, do të shkojë me të. U përpoq, solli këtu Blinkenin për t'ju thënë shqiptarëve se Edi Rama është udhëheqës i jashtëzakonshëm. Edhe Edi Rama fatin e tyre do të pësojë", shtoi Berisha. (A2 Televizion)