Deputetët e nisën mbarë këtë javë duke lënë pas krahëve sherrin e të enjtes së shkuar që solli shtyrjen e seancës. Seanca plenare nuk u bë më skenë përplasjeve fizike por i debateve konstruktive.
Madje, hera-herës diskutimet vijonin edhe përmes kanaleve konfidenciale të drejtpërdrejta, mes dy krerëve të grupeve parlamentare.
Por mesazhi që palët duhej të përcillnin, nuk ishte ai i paqes, ndaj dhe kalua shpejt në akuza, teksa opozita risolli çështjen e Erion Veliajt. Në emër të grupit të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi Ministrin e Brendshme për braktisje të qëllimshme të mbrojtjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Edi Rama i jepte mesazhin gjyqtarëve dhe prokurorëve që me punonjës administrate, madje me punonjës të policisë bashkiake të armatosur në tubim, i kërcënon jetën çdo gjyqtari që nuk i bindet urdhrave të tij”, tha Bardhi.
Në kundërpërgjigjen e saj maxhoranca citoi fjalët e Sali Berishës jashtë Prokurorisë së Posaçme, si kontrast i qëndrimeve të Gazment Bardhit.
“Del dhe thotë unë, se s’ka për të fituar kurrë, do ta shkrijë këtë strukturë të posaçme që po e heton sipas SHBA për pastrim parash, për korrupsion....shyqyr që ju kemi, shyqyr që ju kemi”, tha Taulant Balla.
Pavarësisht retorikës akuzuese, nuk lanë pas dore rendin e ditës, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar procedurat e votimit të emigrantëve.
Nëse demokratët pretendojnë fitoren nga disapora, maxhoranca ka oreks për më shumë.
“Diaspora na jep 84 mandate për të reformuar vendit pa pasur nevojë të diskutojmë me ju”, u shpreh Balla.
Brenda pak orësh, interesi për të dëgjuar kolegët ra dhe salla qëndroi në pjesën më të madhe të kohës më shumë bosh se sa plotë. (A2 Televizion)