Dumani “hap letrat”: Ulëritës bashkëpunimi i policisë me krimin, SPAK nuk ka agjendë politike

Nga Ervin Koçi
22 Maj 2024, 17:14 | Politikë

SPAK vijon të mos ketë besim të plotë në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, Altin Dumani ripërsëriti shqetësimin se drejtues të lartë të uniformave blu janë bashkëveprues me krimin, duke e konsideruar këtë ulëritëse. 

“Ulëritëse, policia e lidhur me krimin, jo vetëm e korruptuar, por pjesë e veprimtarisë”, tha Dumani.

Ky bashkëpunim në vetvete ka forcuar pozitat e grupeve kriminale shqiptare, të cilat, sipas drejtuesit të SPAK, kanë filluar të kenë një rol dominues në arenën ndërkombëtare, sidomos sa i takon trafikimit të kokainës.

Më shumë sesa pesha e krimit shqiptar në arenën ndërkombëtare, çfarë kishte shqetësuar deputetët ishin zhvillimet e brendshme. Rithemelimi sfidoi Dumanin në çdo detaj, që nga bluzat me mesazhin “Lironi Berishën” deri te pyetjet për arrestim politik të liderit të demokratëve.

Flamur Noka e ngacmoi duke i rikujtuar performancën si pjesë e task-forcës antikorrupsion gjatë qeverisë Berisha në vitin 2008-2010.

Në një kohë që Berisha është në arrest shtëpie, opozita e pyeti se përse nuk hetohet Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion qeverisës. Dumani nënvizoi se nuk ka agjenda politike dhe lëviz vetëm me prova, që të shmanget rreziku i një autogoli. Nuk dha detaje nëse ka një procedim penal ndaj Erion Veliajt, por dy fjalë i kishte për delaratën e kryebashkiakut të Tiranës që i ka cilësuar prokurorët specialë me fjalën “kolegë”: “Koleg kam vetëm prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH”.

Veliaj është akuzuar si pjesë e inceneratorëve, çështje e cila, sipas Dumanit, është nën hetim intensiv dhe që prej gushtit të vitit 2023, nuk bëhet më asnjë pagesë për pronarët e shpallur në kërkim. 

Përballë pyetjes nëse është dakord që të preken aktet e Reformës në Drejtësi, përmes një superkomisioni që mazhoranca ka në plan të ngrejë së afërmi, Dumani zgjodhi të përgjigjej me mesazh amerikan: “James Madison, që njihet edhe si babai i Kushtetutës amerikane, thonte: “Përvoja na ka mësuar se asnjë ligj njerëzor nuk është i përsosur. Gjithashtu, një ligj që konsiderohet i mirë për një qeveri, mund të konsiderohet difektoz për një tjetër”. Kështu, më mirë do të ishte stabiliteti”.

Sa i përket zgjatjes së mandatit të prokurorëve, Dumani pohoi se për të personalisht 9 vite ishin të mjaftueshme, por kërkesa përcillte shqetësimin e institucionit.

Raportimi i tij në Kuvend u ndoq nga afër edhe nga disa përfaqësues të Ambasadës së SHBA dhe Delegacionit të Bashkimit Europian.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos