Gjykata e Apelit i jep vulën e PD-së Sali Berishës

Nga A2 CNN
11 Qershor 2024, 13:19 | Politikë

Gjykata e Apelit i jep vulën e PD-së Sali Berishës

Vula e Partisë Demokratike do të jetë në dorën e Sali Berishës. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati vendosën që të mos pranojnë ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke ia marrë vulën e PD-së Lulzim Bashës dhe ia dorëzuar Sali Berishës.

Që do të thotë se Apeli, me vendimin e sotëm, la në fuqi vendimin e ish-gjyqtarit Agron Zhukri, që ligjëroi vendimet e marra nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri.

Pas kësaj, me anë të një reagimi të shkurtër për mediat, deputeti i “Rithemelimit”,  Flamur Noka, pati një mesazh për demokratët.

“Ftojmë gjithë demokratët të kthehen në shtëpinë e tyre”, tha ai.

Kështu, pas më shumë se 3 vitesh, merr fund konflikti brenda demokratëve se kush e drejton partinë më të madhe opozitare në vend.

Vlen të theksohet se këtë vendim Berisha e priti në banesën e tij, pasi ndodhet në “arrest në shtëpi” që prej 30 dhjetorit 2023. Ai akuzohet si i dyshuar për korrupsion sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”. GJKKO me kërkesë të SPAK fillimisht kishte dhënë masën e sigurisë "detyrim me paraqitje"  për ish-kryeministrin, por ai refuzoi ta zbatonte e për rrjedhojë i ndryshoi masën duke e lënë në “Arrest shtëpie”.

Kjo gjë nuk e stepi Berishën, i cili pasi Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së sepse u shpall “Non Grata” nga SHBA-ja, zgjodhi të rikthehej fuqishëm në politikë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos