Kaos në Kuvend, opozita bllokon foltoren dhe ndez tymuese. PS miraton ligjet pa diskutime

Nga Ervin Koçi
9 Nëntor 2023, 13:41 | Politikë

Foltorja e bllokuar me karriget e përmbysura ishte vetëm hapi i parë i asaj që Sali Berisha e quajti mosbindja civile për këtë të enjte në Parlament. Sapo deputetët e mazhorancës dhe kryetarja e Kuvendit u ulën në vendet e tyre, ligjvënësit opozitarë ndezën disa tymuese, duke shkaktuar kaos total në sallën e seancave plenare. Pavarësisht situatës, mazhoranca votoi pikat e rendit të ditës dhe seanca u mbyll në më pak se 20 minuta.

Socialistët shkuan herët në seancë plenare për të ruajtur karriget e tyre nga barrikadimi i opozitës, por nuk mundën të mbanin të lirë foltoren e Kuvendit. Demokratët vijuan me aksionin e tyre nën moton se nuk ka normalitet pa miratuar kërkesat e opozitës. Lideri i lëvizjes i kësaj të enjteje ishte Sali Berisha, i cili fjalën e tij para se të niste zyrtarisht seanca ia drejtoi socialistëve: “Ju nuk keni zgjedhës, për ju nuk ekzistojnë qytetarët, për ju ekziston vetëm Edi Rama që ju shpërndan llokma, që firmos për ju, që ju korrupton çdo ditë”. 

Karriget ishin vetëm hapi i parë i bllokadës parlamentare. Deputetët Saimir Korreshi dhe Dashnor Sula ndezën disa tymuese që ishin futur në sallë përmes çantës së një prej kolegeve opozitare. E shqetësuar, kryeparlamentarja Nikolla urdhëroi ndërhyrjen e gardës: “Garda, ju lutem, hiqini flakadanët”. Salla e seancës plenare u zbardh nga tymi.

Përballë këtyre veprimeve, flamurin e reagimit politik nga mazhoranca e mori Taulant Balla, i cili i konsideroi veprimet e deputetëve demokratë si mburojë për Sali Berishën: “Thirrja ime ndaj pjesës më të madhe të deputetëve që janë në krahun e djathtë të kësaj salle, ju lutem mos u keqpërdorni nga interesi dhe halli personal i një njeriu të vetëm. Ky njeri e ka marrë peng PD-në prej 33 vitesh”. 

Kushtet në sallë nuk ishin të përshtatshme për fjalime të gjata dhe rendi i ditës u ezaurua në më pak se 20 minuta. Një nga një socialistët rrëzuan nismat ligjore, gati të gjitha të propozuara nga opozita, që ishin lënë në harresë që prej një viti nga depozitimi. Disa nga nismat e rrëzuara mbanin firmën e Jorida Tabakut. Jashtë Parlamentit, ajo i konsideroi qëndrimet e mazhorancës jo të sinqerta: “Krahas këtyre ligjeve që sot i rrëzuan me forcën e kartonëve, unë kam propozuar edhe një ligj për komisionet hetimore dhe ka një vit që flet atje në sirtar dhe thonë se duhet të miratojmë një ligj të ri që të hapim komisionet hetimore, ndërkohë nuk kanë marrë asnjë masë për ta miratuar ligjin e ri”. 

Shumica në Parlament duket e vendosur për të mos bërë asnjë hap ndaj kërkesave të opozitës. Të njëjtin skenar duket se do të ndjekë edhe në seancat që parashikohej t’i dedikoheshin diskutimit të buxhetit 2024 dhe paketës fiskale. 

“Tymueset, mjetet piroteknike, barrikadat me karrige nuk janë skenar i mazhorancës, janë skenar i opozitës. Ne do të vazhdojmë normalisht të miratojmë ligje”, tha kreu i grupit socialist, Bledi Çuçi. 

Mazhoranca po ndjek strategjinë e mbledhjeve online për komisionet parlamentare, ku nuk ka marrë pjesë opozita. Një praktikë e nisur për shkak të pandemisë, por që tani shfrytëzohet nga shumica për të shmangur bllokimin e demokratëve.   

A2 CNN Livestream

Dita jonë