Kushtetuesja pezulloi paktin Rama-Meloni për emigrantët, vijnë reagimet e para nga Italia

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 21:37 | Politikë

Kushtetuesja pezulloi paktin Rama-Meloni për emigrantët, vijnë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për te pezulluar marrëveshjen e arritur mes qeverisë në Tiranë dhe asaj në Romë, për ngritjen e qëndrave të pritjes së emigrantëve në Shëngjin, ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave italiane.

Edhe pse ishte planifikuar që marrëveshja të kalonte nesër në Kuvend, gjykata pranoi të kalojë për shqyrtim ankimin e bërë nga 30 deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve Sali Berisha e Gazment Bardhi, të cilët pretendojnë se marrëveshja shkel Kushtetutën.

Në vendim pretendohet se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria aderon. 

Fakti që i vendoset një bllokadë miratimit të marrëveshjes, ka nxitur reagime edhe në radhët e politikës përtej Adriatikut. Opozita italiane është hedhur në sulm, me Angelo Bonellin e “Euopa Jeshile” që e ka cilësuar vendimin "një shuplakë të fortë" për qeverinë Meloni.

Ndërkohë, Pierfrancesco Majorino i PD flet për një "përshtypje të keqe" dhe një "rrëmujë të rrezikshme".

Megjithatë Fabio Rampelli i partisë “Vëllezërit e Italisë”, që drejtohet nga kryeministrja Meloni është shprehur se vendimi i Gjykatës është thjesht “një akt i domosdoshëm nisur nga ankimi i paraqitur nga parlamentarët shqiptarë”.

Deri më tani asnjë koment nga Palazzo Chigi, por duket se nuk ka asnjë shqetësim për vonesa në zbatimin e marrëveshjes. Burime nga Kryeministria për TGcom24 sqarojnë se nuk duan të komentojnë vendimin e marrë sot në Tiranë për marrëveshjen me Italinë, pasi është një vendim i një gjykate kushtetuese të një vendi të tretë.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, nënvizohet se nuk ka asnjë shqetësim për vonesa në zbatimin e memorandumit, për ratifikimin e të cilit Kuvendi do të presë tashmë vendimin final të Kushtetueses.

Por, La Stampa duke e cilësuar vendimin një “dush të ftohtë” për Melonin, nënvizon se ratifikimi parlamentar i marrëveshjes mund të qëndrojë pezull të paktën për 3 muaj, në varësi të kohës kur Gjykata do ta cilësojë si të përshtatshme për t’u shprehur.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos