Prezenca politike në sallën e kuvendit ishte e paktë. Jo vetëm mungesa e Edi Ramës, por edhe e Gazment Bardhit dhe Lulzim Bashës bëri që interesi i deputetëve për sallën e Kuvendit të ishte i vakët, pavarësisht se në foltore po diskutohej një çështje e rëndësishme.
Tritan Shehu kishte thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, por në mungesë të kreut të qeverisë, stafeta i kaloi Elisa Spiropalit. Mungesa e Ramës nuk e zbehu dëshirën e Tritan Shehut për të dhënë qëndrimin e tij, se qeveria Shqiptare nuk pranon të dënojë gjenocidin serb në Kosovë.
“Ju si gjykoni, ka pasur gjenocid serb në Kosovë në vitet 1998-1999? A jeni ju dakord që Kuvendi i Shqipërisë t’i paraqesë në një rezolutë finale apo me heshtjen tuaj doni ta varrosni të vërtetën dhe retushojnë që për pak u realizua të regjimit serb”, tha Tritan Shehu.
“Minimalisht, ka 10 vjet që qeveria Rama dhe shumica jonë ka bërë një ndarje të fortë nga një soj e lloj politike të jashtme. Ne e kuptojmë që përmes z. Shehu një segment nacional folklorik të politikë shqiptare kërkon të bëjë politikë me viktimat e krimeve të Miloshevicit”, iu përgjigj Spiropali.
Qëndrimi i mazhorancës ishte i qartë, gjenocidi është dënuar nga Kuvendi, por me Kosovën nuk bëhet politikë, por Tritan Shehu vijonte të kishte një qëndrim tjetër.
“Folklorizmi elektoral dhe llogaritë elektorale mbi kartën e zhubrosur të nacionalizmit, janë bimë të helmuara që si frutë të vetëm prodhojnë vetëm konfuzion, përçarje dhe mllef mes nesh”, tha Spiropali.
“Më vjen keq, sinqerisht për këtë rrugë pakrye ku ju po e degdisni këtë vend me shkopin e dirigjentit të Vuçiçit”, iu përgjigj Shehu.
Me ezaurimin e minutazhit të përcaktuar në rregullore, përfundoi edhe interpelanca për Kosovën, ku secila palë mbajti të njëjtin qëndrim. (A2 Televizion)