Një nga tregtarët pranë tregut “Dinamo” në kryeqytet, ku gazetarja Anxhela Celibashi ndodhej për të parë nëse çmimet e shportës janë rritur apo jo këtë fundvit, tha për A2 CNN se konsumi është shumë i ulët pasi për qytetarët janë të papërballueshme blerja e frutave apo perimeve jo të stinës.
“Konsumi i përditshëm është shumë shumë pak. Ka shumë pleqëri, rini nuk ka. Blejnë këto të zakonshmet, të përditshmet, por nuk ka konsum. Ato marrin qepën nga dy kokrra, dy karota, një tufë sallatë. Sa vjen ajo, 100-200 gram. Jo më shumë”, u shpreh tregtarja për mikrofonin e A2 CNN.
Ajo tregoi se në tezgën ku ajo tregton prej 30 vitesh interesi për prodhime jashtë sezonit, si për shembull rrushi apo ndonjë tjetër lloj fruti është tepër i ulët.
“Është shumë tregu i varfër dhe nëse nuk është i stinës dhe është shumë shtrenjtë. Blihet shumë pak. Më shumë të bie ta hedhësh sesa ta shesësh. Blejnë një vesh rrush, sasi shumë pak. Nuk është se e konsumojnë se është i shtrenjtë”, tha tregtarja për A2 CNN.
Ajo nënvizon se vitet e mëhershme në treg kur konsumi ka qenë shumë herë më i lartë, i duken thuajse sikur i ka kaluar në ëndërr.
Ndërkohë një pensionist që kishte dalë të bënte pazar tha për mikrofonin e A2 CNN se çmimet në tregje janë shumë herë më të lira sesa marketet në lagje.
“Çmimet për ma mirë nuk ka. Kur nuk ka i çojnë çmimet, kur ka bollëk i ulin çmimet. Gjithmonë për vit të ri janë çu çmimet dyfishin. Ne shohim çmimet ku janë, ku janë më lirë i marrim. Në lagje, një fije më shtrenjtë. Gjysmë për gjysmë. Këtu i merr mollët me 60 lekë, atje 160 lekë”, tha i moshuari. (A2 Televizion)