Punëtorët e pastrimit në Gjirokastër protestojnë për paga dhe kushte më të mira pune

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
6 Dhjetor 2024, 14:47 | Sociale

Paga dhe kushte më të mira pune, janë dy kërkesat kryesore të punëtorëve të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit në bashkinë e Gjirokastrës. Ata kanë protestuar para bashkisë, duke denoncuar edhe pagesën e punëtorëve fiktivë që marrin paga por nuk duken asnjëherë në punë.

“Kemi ardhur për problemin e shtesës së rrogës. Kërkojmë ne hakun tonë që na takon, nuk kërkojmë më tepër. Uniformat nuk na i japin tamam  siç duhen dhe na thonë që jeni të nderuar. Me llafe? Veprat ku janë?”

“Të paktën të dimë dhe ne se ça të marrim. Unë marr 350 mijë lekë, unë 80 mijë lekë kam qiranë, plus 20-30 mijë lekë mund të venë dritat. Plus që jam me një fëmijë të vogël atje në shtëpi.”

“E dyta nuk marrim dot lejet e zakonshme. Unë vajta 5 vjet këtu në këtë ndërmarrje dhe këtu një leje të zakonshme e pjesëtojnë për 4-5 veta.”

“Me këtë rrogë, mendër po tallem. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç asaj që kryeministri na tha që na takojnë shtesat e rrogës. Dhe e dyta leje, vajta kaq vjet nuk bëjmë leje.”

“Hiçgjë, asgjë. Bile edhe na kërcënojnë.”

Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit pranë bashkisë së Gjirokastrës janë ngritur në protestë mëngjesin e së premtes për të kërkuar të drejtat e tyre më bazike.

Punonjësit kanë qenë mjaft të revoltuar me autoritetet vendore, si për kushtet dhe pagat e ulëta që i kanë lënë, ashtu edhe  për presionin që sipas tyre u kanë ushtruar që të mos protestojnë dhe të rikthehen në punë.

Punonjësit kanë denoncuar edhe pagesën e punëtorëve fiktivë që marrin pagë por nuk duken asnjëherë në punë.

“Brigada ime nga 16 punëtorë, dalin 8 punëtorë. Për çfarë arsye? Ku janë këta punëtorë? Marrin lekun në zarfe.”

“Marrin rrogën dhe rrinë në shtëpi.”

Deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës ndërkohë që sipas praktikës së mëparshme, për çdo lloj kërkese ata të tregojnë Zyrën e Protokollit për të marrë përgjigje brenda 10 ditësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos