Situata në veri, Kurti: I kuptoj shqetësimet e ndërkombëtarëve, por opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e detyrimeve kushtetuese

Nga A2 CNN
27 Maj 2023, 09:06 | Kosova
Situata në veri, Kurti: I kuptoj shqetësimet e

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në veri të vendit. Ai është shprehur se shkuarja në vendet e punës së kryetarëve të rinj, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri duhej të ishte gjëja më normale e mundshme.

“Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër”, shkruan Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se i kupton shqetësimet e ndërkombëtarëve lidhur me situatën e krijuar, por opsionet e tjera do të ishin mospërmbushje e obligimeve kushtetuese. Kryeministri Kurti i ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë. Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, shkruan Kurti.

Ai ka falënderuar Policinë për qëndrimin profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit.

“Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit. Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri. Rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët”, ka shtuar ai.

Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje (26 maj) nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

https://a2news.com/2023/05/26/tensionet-ne-veri-vendet-e-quint-it-autoritetet-e-kosoves-te-zmbrapsen-menjehere/
https://a2news.com/2023/05/26/tensionet-ne-veri-te-kosoves-dash-denojme-veprimet-e-qeverise-per-te-hyre-me-force-ne-ndertesat-komunale/
https://a2news.com/2023/05/26/sekretari-amerikan-blinken-akuzon-kosoven-per-destabilitetin-ne-veri/
https://a2news.com/2023/05/26/tensionet-ne-veri-rama-nderkombetaret-thellesisht-te-shqetesuar-te-mos-ecet-me-ne-kete-shteg/

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024