Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, në një lidhje direkte me “Dita Jonë” në A2 CNN, deklaroi se tifozët shqiptarë duhet të jenë të kënaqur me barazimin ndaj Kroacisë, duke i dalë në mbrojtje edhe trajnerit Sylvinho.
“Do të donim të gjithë të ishim të gjatë, bjondë dhe me sy bojëqielli, por nuk është kështu. Duhet të kënaqemi me ato që kemi në dispozicion. Shqipëria ka në grup skuadra që janë më të forta dhe që kanë më tepër përvojë. Jo gjithmonë duhet të përpiqemi që të gjejmë diçka që nuk shkon në atë që bëjmë. E rëndësishme është që Shqipëria të luajë me zemër dhe vendosmëri. Pastaj, të pakënaqur do të ketë gjithmonë. Por, ta keni parasysh që të pakënaqurit janë humbësit e parë”, deklaroi De Biasi.
Kur u pyet se çfarë mund të bënte më mirë Sylvinho ndaj kroatëve, De Biasi i doli në mbrojtje kolegut brazilian: “Unë po ju pyes: Kush e mendonte që Shqipëria, në një grup të tillë, mund të kualifikohet nëse mposht Spanjën? Askush nuk e mendonte para turneut. Pse? Sepse Italia, Spanja dhe Kroacia janë më të mira se Shqipëria. Por, Sylvinho po nxjerr më të mirë nga lojtarët që ka. Ne kemi skuadër cilësore, por të re, dhe aty do të duket aftësia e trajnerit, te rritja e këtyre të rinjve”.
Sipas De Biasit, Shqipëria mund të fitojë ndaj Spanjës: “Pse jo? Spanja është më e forta e grupit, por është kualifikuar dhe në ndeshjen ndaj Shqipërisë mund të bëjë shumë ndërrime dhe lojtarët mund të jenë më pak të përqendruar sesa lojtarët kuqezi”. (A2 Televizion)