“Ishte vendimtare humbja me Poloninë”, “arkitekti” Sylvinho tregon sekretet e kualifikimit

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2023, 20:48 | Futboll

“Ishte vendimtare humbja me Poloninë”, “arkitekti”

Të trajnoj Shqipërinë për Sylvinhon është një nder i madh. E ka nisur kështu prononcimin për mediat “arkitekti” brazilian i suksesit historik të kombëtares kuqezi, pas arritjes së kualifikimit në Euro2024.

Trajneri i djemeve kuqezi nuk e ka fshehur emocionin, teksa ka vlerësuar maksimalisht futbollistët e tij për përkushtimin dhe pasionin, por edhe stafin teknik.

Më tej Sylvinho deklaroi se e kishte kuptuar që Shqipëria do të bënte realitet ëndrrën për të shkuar në Gjermani, pas sfidës së parë kualifikuese ku kuqezinjtë u mundën në Varshavë nga Polonia.

 “Meritë e djemve dhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur, është nder të jem trajneri i kombëtares së Shqipërisë dhe të ndjej pasionin e njerëzve. Gjithçka është shumë e bukur. Nuk është vetëm Sylvinho, është Zabaleta, Doriva, Bulku i gjithë stafi. Më shumë se taktika është pasioni dhe dashuria për futbollin, ka pasion në punën tonë. Rezultati nuk vjen shpejt, ne kemi bërë një punë të mirë dhe kemi marrë rezultat, është një kombinim i mirë. Kombëtarja është e hapur për lojtarë të rinj, kemi një skuadër të konsoliduar, por kjo është puna e një kombëtareje, jemi gati të presim lojtarë që janë në formë. Isha i bindur që ishte një grup i vështirë dhe të gjitha skuadrat mund të merrnin pikë. Mendoj se momenti vendimtar ishte pas ndeshjes me Poloninë dhe nuk e meritonim humbjen, aty ndryshoi sjellja e lojtarëve. Ishte moment kyç."

Sa i përket sfidës në Kishinjeve, Sylvinho e pranoi që Moldavia ishte një “kockë e fortë”.

Moldavia po luante për gjithçka, nuk kishin çfarë të humbnin. Luanin me topa të gjatë dhe ishte e vështirë, ata nuk kanë humbur në shtëpi. Kanë humbur vetëm një ndeshje në kualifikuese, kundër nesh në Shqipëri”, tha trajneri i kombëtares.

Teksa ndau një përqafim të ngrohtë me kapitenin Berat Gjimshiti, trajneri e vlerësoi maksimalisht mbrojtësin e Atalantës. “Ky djalosh e meriton shumë këtë moment, është shembull për të gjithë ne.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos