Kupa e Italisë, Roma-Lazio për një vend në gjysmëfinale, Milani pret Atalantën

Nga A2 CNN
10 Janar 2024, 10:38 | Futboll

Kupa e Italisë, Roma-Lazio për një vend në

Këtë të mërkurë, do të shpërndahen dhe dy bileta të tjera për në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.

Vëmendja është në derbin e kryeqytetit aty ku Roma do të përballet me Lazion në një atmosferë spektakolare në Olimpiko. Sipas mediave italiane, do të jetë një stadium i tejmbushur nga tifozët dhe për këtë do të jenë të angazhuar afro njëmijë agjentë policie, shumë më shumë se sa në një ndeshje normale kampionati.

Te Lazio janë të gjithë titullarët përveç Ciro Immobile që është në dyshim ndërsa Roma e Murinjos përveç Kumbullës që është mungesë e sigurt, në dyshim është Renato Sanches dhe Tammy Abraham. Takimi do të nisë në orën 18:00.

Ndërkohë në mbrëmje, Milani pret në “San Siro” Atalantën e Berat Gjimshitit. Kuqezinjtë e kanë nisur mbarë këtë vit, megjithatë pozitat e Trajneri Stafano Pioli mbeten të lëkundura. Me 9 pikë larg kreut në serie A, Pioli e sheh trofeun e Kupës së Italisë si shpëtimin e tij dhe ashtu siç theksoi dhe në konferencën për shtyp në prag të sfidës, për atë çdo trofe ka rëndësi.

Sa i përket organikës së skuadrës, Milani mbetet me infermierin e mbushur, pasi 7 lojtarët nuk do të jenë nën urdhrat e trajnerit Pioli.

Nga ana tjetër Atalanta do të luajë shanset e saj për t’u kualifikuar më tej. Në fushë që nga minuta e parë si çdo ndeshje do të luajë Berat Gjimshiiti, ndërsa lajmi i mirë për bergamaskët është se nuk kanë asnjë mungesë. Takimi nis në orën 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos