Kualifikimi i mbyllur duket në Anffield, aty ku Liverpool pret Spartën e Pragës . Pas fitores 5-1 në ndeshjen e parë, The Reds kanë hipotekuar kalimin më tej dhe do të luajnë thjesht për formalitet ndaj çekëve. Pavarësisht se me shumë mungesa, anglezët, sot, me shumë gjasa, do t’i japin hapësira lojtarëve që nuk kanë marrë shumë minuta në dispozicion dhe formacioni pritet të jetë tërsisht ndryshe nga ai çfarë kemi parë zakonisht.
Në anën tjetër, te Sparta e Pragës, sërish nuk pritet të jenë titullarë dy shqiptarët e këtij ekipi, Qazim Laci dhe Indrit Tuci.
Përpara një jave në Baku, Bajer Leverkusen rrezikoi të pësonte në mënyrë surprizë humbjen e parë sezonale. Megjithatë, skuadra e rekordeve e drejtuar nga Alonso arriti të rikuperonte avantazhin e dy golave të Karabak dhe ta mbyllte sfidën në barazim 2-2.
Në ndeshjen e kthimit në 1/8 e Europa League, gjermanët do të synojnë të mbyllin praktikën me azerët. Një fitore dhe kualifikimi në çerekfinalet e aktivitetit do të konsolidonte edhe më tepër një edicion që deri më tani ka qenë i jashtëzakonshëm.
Leverkuseni do të provojë të shfrytëzojë maksimalisht talentin dhe momentin pozitiv për tu kualifikuar. Në anën tjetër, Karabaku i Redon Xhixhës ëndërron të bëjë surprizën e madhe. (A2 Televizion)