Rafael Nadal, një nga tenistët më të suksesshëm të historisë, ka njoftuar në një konferencë për shtyp se nuk do të luajë edicionin e sivjetshëm të Roland Garros si dhe turnetë e tjerë të këtij viti, për t’u kthyer në formë vitin tjetër, që do të jetë viti i fundit i karrierës së tij.
Kjo do të jetë hera e parë që nga viti 2005 që tenisti spanjoll mungon në Grand Slam-in e tij të preferuar, të cilin e ka fituar 14 herë, më shumë se kushdo tjetër në histori.
“Dëmtimi që pësova në Australi nuk më lejon që të jem në Roland Garros. E imagjinoni vetë sa e vështirë është për mua të mos shkoj në Francë. Nuk kam ndërmend të luaj muajt në vijim. Vitet e fundit nuk kam pasur vazhdimësi, për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme. Por, kam arritur rezultate të mira që i kanë maskuar problemet e mia fizike. Tani, dua të tentoj të rigjeneroj trupin tim dhe prandaj nuk kam vendosur datën e kthimit në tenis”, deklaroi Nadal.
Në vitin 2024, Nadal tha se shpreson të luajë turnetë që dashuron më shumë dhe të ndahet nga publiku në fushë.
“Nuk e meritoj ta mbyll karrierën kështu, në një konferencë shtypi. Do të luftoj që ta mbyll para publikut, vitin e ardhshëm. Dua të ndihem sërish lojtar tenisi dhe të luftoj për objektiva të rëndësishëm”, theksoi fituesi i 22 Grand Slam-eve. (A2 Televizion)