Partia e fermerëve tronditi panoramën politike në Holandë. Sipas të dhënave zyrtare, pritet të jetë fituesja e madhe e zgjedhjeve që do të përcaktojnë përbërjen e senatit.
Lëvizja Qytetare e Fermerëve është krijuar në vitin 2019 pas protestave masive të fermerëve. Me shumicën e votave të numëruara, pritet që partia e Fermerëve të fitojë 15 ulëse në Senatin Holandez, më shumë se partia konservatore VVD e kryeministrit Mark Rutte, që doli nga këto zgjedhje me 10 ulëse nga 75 në total.
“BoerBurgerBeëeging” triumfuese e bazoi fushatën e saj kundër politikave qeveritare për mbrojtjen e mjedisit, që rezultonte me blerjen e mijëra fermave për të reduktuar emetimet e nitrogjenit.
“Mund të shikoni që mes fermerëve ekziston një ndjenjë pafuqie, nuk dimë çfarë të bëjmë. Ndjejmë shqetësim dhe se diçka po na imponohet. Vendimet janë marrë brenda zyrave, por çfarë po ndodh në të vërtetë? Si mund ta ndikojmë vendimin? Ju mund të shikoni se tani ka një ndjenjë vetëdije, njerëzit po thonë se duhet të jetë një parti që rikthen besimin në mbarë rregullatorin,” shprehet Trienke Elshof, fermere me 250 lopë.
Triumfi i fermerëve komplikon pozitën e koalicionit qeverisës të kryeministrit Rutte, të cilit tashmë i duhet të negociojë politikat e tij me kundërshtarët e majtë.
Një ndihmë e madhe, atij pritet që t’i vijë nga Laburistët dhe të Gjelbërit që ruajtën ulëse e tyre në senat. Ambicia e qeverisë holandeze është që të përgjysmojë emetimet e dëmshme deri në vitin 2030, marrë shkas edhe nga shkelja e vazhdueshme e rregullave të Bashkimit Europian. (A2 Televizion)