AAK këmbëngul për shkarkimin e Kurtit, Haradinaj: I kemi votat për mocionin e mosbesimit

Nga A2 CNN
7 Qershor 2023, 16:52 | Kosova
AAK këmbëngul për shkarkimin e Kurtit, Haradinaj: I kemi votat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, këmbëngul në ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë Kurti dhe thekson se i ka votat e nevojshme. Gjithashtu përsëriti kritikat ndaj kryeministrit për krisjen me ndërkombëtarët.

“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë. Institucionet e Kosovës i kanë bërë tri gabime, për të cilat po i vuajmë pasojat. Gabimi i parë se nuk u dakorduan me propozimin amerikan për tabelat dhe pastaj me mbet në kujdestari veriu gjatë gjithë procesit të dialogut, në kujdestari të amerikanëve.

Gabimi i dytë ishte insistimi apo nxitimi për të mbajtur zgjedhje, duke mos e pasur pjesëmarrjen e garantiar të gjithëve. I treti, ishte gabim sikurse e dimë, kryetarët që kanë marrë aq pak vota nuk kualifikohen mirëfilli si kandidate të mirëfilltë. Edhe zgjidhja me i kryer funksionet e veta në objekte alternative për një kohë ishte e mençur. Gaboi kryetari i qeverisë kur insistoi t'i vendos ata me forcë policore në objekte. Të tri këto gabime u shfrytëzuan shumë mirë prej Serbisë, prej Vuçiçit, prej bandave atje të kriminelëve më veri. Është koha e fundit që ta kthejmë faqen, ta fillojmë një plan serioz me bashkësinë ndërkombëtare, mos t'i rrejmë më”, tha Haradinaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos