Aksi Elbasan – Peqin, ndër akset më problematike në vend sa i takon numrit të aksidenteve dhe pasojave fatale për njerëzit, në këto ditë të fundit të këtij viti është edhe më i ngarkuar për shkak të shtimit të fluksit të lëvizjeve dhe natyrisht ardhjeve të emigrantëve si nga Italia ashtu edhe nga Greqia me mjete e tyre për festat e fundvitit.
Kjo ka bërë që policia rrugore e Elbasanit të rrisë gatishmërinë dhe prezencën e saj në këtë aks rrugor. Nga konstatimet e deritanishme përveç shkeljeve të drejtuesve të mjeteve, ky aks, ka një numër shumë të lartë të hyrje-daljeve disa prej të cilave edhe të paligjshme.
Takimet dhe shkresat e Policisë Rrugore ndaj autoritetit rrugor për këtë problematikë duket se kanë marrë përgjigje të tërthorta.
Në këto kushte, policisë rrugore nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të përqendrojë monitorimin e aksit, duke nënvizuar edhe shkeljet që janë më së shumti shkaktarë të aksidenteve.
Policia Rrugore e Elbasanit në këto ditë po operon me kontrolle të shtuara në akset kryesore të qarkut që janë pjesë edhe e akseve nacionale rrugore të vendit me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe sensibilizmin e drejtuesve të mjeteve. (A2 Televizion)