Ballanca mbyll mandatin: Më është dashur të punoj dyfish, paragjykimi edhe nga ndërkombëtarët

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2022, 14:40 | Aktualitet
Ballanca mbyll mandatin: Më është dashur të punoj dyfish,

Erinda Ballanca mban postin e Avokates së Popullit nga viti 2017, dhe tashmë është në përfundimin e mandatit.

E intervistuar nga A2 CNN, ajo bën një bilanc të këtyre viteve, duke analizuar fillimisht ekuilibrat me pushtetin politik.  

“Një nga çështjet ku kam ngelur keq, ka pasur problem me besueshmërinë pikërisht për faktin që kam qenë propozim i opozitës, edhe pse kam marrë votat e mazhorancës, duke respektuar kriteret, më është dashur të punoj dyfish për të krijuar besueshmëri tek institucionet ndërkombëtare, sepse paragjykimi vinte edhe nga këto institucione”, thotë Ballanca po shton se “edhe pse ky institucion vështirësish ka marrë mbështetje financiare, si dhe vështirësish ka pranuar rekomandimet drejt tyre, në mandatin tim mbështetja e Kuvendit ka qenë e plotë, dhe nuk ka pasur deklarata të institucioneve kundër Avokatit të Popullit, përtej një rasti që kishte të bënte me Gjykatën Kushtetuese”.

Duke e cilësuar zyrën e Avokatit të Popullit si një institucion karakter të pashmangshëm moral, Ballanca thotë se është e nevojshme që përzgjedhja e titullarit të ketë një proces të hapur dhe transparent. Sipas saj, "ne kemi pushtet të vogël, kemi vetëm rekomandime, kështu që duhet të ngremë aspektin që kur të thotë diçka Avokati i Popullit të jetë e padiskutuar, falë besimit dhe njohurisë të së drejtës. Ka një të re, Këshilli i Europës ka miratuar një vendim për të rritur institucionet e Avokatit të Popullit, dhe të japin justifikime të shkruara në qoftë se refuzojnë rekomandimet".

Ajo nuk dëshiron të bëj bilance të detajuara për arritjet dhe objektivat e munguara, por thotë se “kemi tentuar të arrijmë një standard të ngjashëm me vende të tjera. Ka çështje që do të doja të kishim çuar përpara në lidhje me aktivizimin e institucionit, dhe çështje që nuk kemi çuar përpara për shkak të mungesës së fondeve dhe kapaciteteve humane, por edhe për disa problematika të ligjit. Falë një projekti të financuar IPA jemi në bashkëpunim me Avokatin e Popullit austriak për t’i dhënë këtij institucioni rolin që i përket”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos