Banka Credins: Kemi rënë pre e një sulmi kibernetik, asetet e klientëve janë të sigurta dhe paprekura

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2022, 13:26 | Aktualitet
Banka Credins: Kemi rënë pre e një sulmi kibernetik, asetet e

Banka Credins ka pranuar që një prej sistemeve të saj është sulmuar nga hakerat, por thotë se është izoluar dhe nuk është prekur asnjë e dhënë e klientëve të saj. Reagimi i bankës së nivelit të dytë erdhi disa ditë pas pretendimeve se sistemet e saj ishin hakuar nga hakerat iranianë.

Në llogarinë në Telegram “Homeland Justice”, ku janë publikuar deri më tani të dhënat e përfituara nga hakimi i sistemeve të ndryshme të administratës, policisë dhe e-Albania, u publikuan video ku pretendohet se janë siguruar të dhënat e përdoruesve të kësaj banke.

Të nderuar klientë dhe qytetarë, me qëllim të informimit të drejtë dhe evitimit të shqetësimeve të klientëve tanë, njoftojmë të gjithë klientët e Bankës Credins që kemi qenë pre e një sulmi kibernetik, ku për pasojë një sistem periferik është prekur e më tej është izoluar duke siguruar që janë zbatuar masat më të larta të sigurisë informatike.

Stafet tona të teknologjisë së Informacionit dhe sigurisë, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë, duke njoftuar të gjitha organet rregullatore e mbikëqyrëse të cilat janë duke ofruar mbështetjen maksimale.

Banka Credins i siguron të gjithë klientët, se të gjitha llogaritë dhe asetet e klientëve te saj, janë të sigurta dhe të paprekura nga ky sulm.

Banka Credins ju kërkon ndjesë të gjithë klientëve për shqetësimet e krijuara duke theksuar se siguria e tyre është e garantuar.

Gjithashtu, njoftojmë të gjithë personat që publikimi i informatave personale në mënyrë të pa autorizuar përbën shkelje ligjore, prandaj edhe kërkojmë që menjëherë të ndalet shpërndarja e këtyre informatave.

Njoftimi zyrtar Banka Credins

Më parë, hakerat iranianë kanë publikuar të dhënat e punonjësve të Shërbimit Informativ Shqiptar. Të dhënat për ta, të marra nga sistemet kompjuterike të institucioneve, janë publikuar nga faqja “Homeland Justice”. Para disa ditësh, hakerat publikuan edhe të dhënat për automjetet e shqiptarëve, si dhe të dhënat personale të kryeministrit Edi Rama, bashkë me udhëtimet e tij jashtë vendit që janë regjistruar në sistemin TIMS.

Grupi i hakerave iranianë i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut”, ka publikuar edhe e-mailet e kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, si dhe ka nxjerrë në publik numrat e telefonit të qytetarëve shqiptarë.

Sipas hakerave sulmi ndaj Shqipërisë është bërë për shkak të mbështetjes së vendit tonë për organizatën e Muxhahedinëve, MEK, pjesa dërrmuese e anëtarëve të së cilës strehohen në Shqipëri. Pasi identifikoi Iranin si sponsorizuesin e sulmit, Shqipëria dëboi të gjithë diplomatët e Republikës Islamike nga vendi. Zyrtarisht, Irani mohon përfshirjen.

A2 CNN Livestream

A2 Sport