Besa dhe Lushnja hedhin sytë nga elita e futbollit

Nga A2 CNN
14 Gusht 2023, 14:07 | Futboll
Besa dhe Lushnja hedhin sytë nga elita e futbollit

Ekipet e Kategorisë së Parë në futboll, Besa dhe Lushnja, zgjodhën Kolonjën për të zhvilluar fazën përgatitore për sezonin e ri. Klima e favorshme e kësaj zone për të marrë ngarkesën fizike dhe për riaftësimin e lojtarëve, por edhe kushtet e mira sportive të klubit të Gramozit, e kanë kthyer krahinën jug-lindore të Shqipërisë në destinacion të preferuar.

Gugash Magani, trajner i Lushnjës, u shpreh: “Ka disa arsye që neve jemi këtu: e para janë kushtet shumë të mira që ofron Erseka, kemi fusha të nivelit optimal, janë dy fusha të tilla; Klima është jashtëzakonisht shumë e mirë, ushqimi është bio, kemi dhe një ambient të ngrohtë dhe ndihemi komodë”.

Lorenc Pashja, trajner i Besës, thekson: “Është viti i dytë që ekipi i Kavajës vjen në Ersekë, për vetë kushtet që ofron, temperaturat, fushat e stërvitjes të vëna dispozicion nga klubi i Gramozit. Janë kushte optimale për të bërë fazë përgatitore sa më të mirë”.

Nga përgatitjet në Kolonjë, dy ekipet me emër të futbollit shqiptar synojnë rikthimin në elitë, pas viteve me radhë në kategoritë inferiore.

“Kam eksperiencë, nuk mund të them do dalim në Superiore, por jemi në luftë për të qenë sa më lart të jetë e mundur. Nuk do jetë Lushnja e vjetshme, me performanca jo të mira. Kemi marrë lojtarë me eksperiencë, duhet kohë të njihen me njëri-tjetrin, por do jemi një prej skuadrave që duhen mundur”, deklaroi Magani.

“Jemi një skuadër në rindërtim e sipër, Besa është një ekip me traditë, objektivi madhor është të shkojë drejt Superligës, aty i takon, aty e meriton. Do bëjmë çfarë është e mundur për të arritur këtë objektiv”, thotë Pashja.

Gjatë përgatitjeve në Ersekë, dy rivalët kanë mundësi të përballen në ndeshje miqësore, por edhe të testohen me ekipet e prefekturës së Korçës, që luajnë në kategoritë më poshtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos