Betejë ajrore Kiev-Moskë, ukrainasit zmbrapsin breshërinë e dronëve rusë mbi kryeqytet

Nga A2 CNN
2 Gusht 2023, 08:17 | Bota
Betejë ajrore Kiev-Moskë, ukrainasit zmbrapsin breshërinë e

Beteja e dronëve mes Moskës edhe Kievit ka vijuar edhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, teksa sulmet kanë ndryshuar drejtim.

Teksa të martën një dron ukrainas goditi për të dytën herë në 48 orë një qiellgërvishtës në zemrën ekonomike të Moskës, këtë mbrëmje, kanë qenë forcat në Kiev, të cilat kanë rrëzuar më shumë se 10 dronë mbi kryeqytet.

Sipas Serhiy Popko, kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit forcat ruse përdorën municione me breshëri dronësh Shahed, me të cilët besohet se Moska është furnizuar nga Irani.

"Grupet e dronëve iu afruan Kievit njëkohësisht nga disa drejtime. Megjithatë, forcat e mbrojtjes ajrore zbuluan dhe shkatërruan të gjitha objektivat ajrore - mbi 10 UAV - në kohën e duhur”, shkroi Popko në Telegram të mërkurën herët.

Ai tha se mbeturinat nga dronët kanë rënë në lagjet Solomianskyi, Holosiivskyi dhe Sviatoshynskyi në Kiev dhe se disa ndërtesa jorezidenciale dhe sipërfaqe rrugore janë dëmtuar, por nuk ka dëme serioze apo zjarre.

Në mëngjes herët, edhe kreu i administratës ushtarake rajonale të Odesës, Oleh Kiper, paralajmëroi gjithashtu për sulme me dron në këtë rajon.

Sipas një postimi në Telegram, Kiper u kërkoi njerëzve në Odesa të strehoheshin ndërsa mbrojtja ajrore ishte në punë duke sprapsur sulmin rus.

Pavarësisht angazhimit të forcave ukrainase në betejë, sulmi me dronë i rusëve ka dëmtuar portin dhe infrastrukturën industriale të Odesës.

Natën, armiku drejtoi UAV-të sulmuese në jug të rajonit të Odesës. Si pasojë e sulmit kanë rënë zjarre në objektet e infrastrukturës portuale dhe industriale të rajonit, si dhe është dëmtuar një magazinë drithërash. Të gjitha ekipet e reagimit janë në vendngjarje”, ka shkruar më pas Kiper në Telegram.

A2 CNN Livestream

A2 Sport