Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, bëri thirrje për bashkim të partisë në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në mbledhjen e grupit parlamentar, thërritur nga Enkelejd Alibeaj, Çollaku tha se vendimi i Gjykatës së Apelit më 3 mars, qartësoi legjitimitetin e strukturës drejtuese të PD-së.
“Ne nga data 3, kemi detyrën të sillemi si PD-ja dhe jo më si grupe brenda PD-së. PD-ja është e të gjithë demokratëve, edhe e jona këtu, edhe e atyre atje. Sot është detyra jonë që të ofrojmë bashkëpunim e bashkim me çdo demokrat”, mësohet të ketë thënë Çollaku në mbledhje.
“Ky vit ka qenë shumë vit i ngarkuar. Kemi mbajtur shumë baltë, akuza të pavërteta, agresivitet dhe nuk jemi përgjigjur. Mendoj që kemi bërë mirë, por nga sot, për hir të bashkimit të PD-së, duhet t’i tejkalojmë këto ngarkesa negative. Sfidë mbeten zgjedhjet e 14 majit. Kam kërkuar në çdo kohë të bëjmë çdo sakrificë për të dalë me kandidatë të unifikuar nën siglën e PD-së. E kam kërkuar edhe vetë dhe e mbështes propozimin që të ftohen të gjithë kandidatët të dalë nga procesi i primareve nga pala tjetër në siglën e PD-së. Ne kemi çdo mundësi që të hapim një dialog e proces konsensusi në çdo bashki për t’u përfaqësuar me emra cilësorë, fitues dhe të unifikuar. Nëse vërtetë duam të bëjmë një PD fituese, duhet bashkim dhe tejkalim i çdo ngarkese emocionale apo interesi personal”. (A2 Televizion)