Prej 10 ditëshit të parë të muajit korrik të këtij viti dhe në vazhdim, urgjenca e Spitalit Rajonal të Vlorës ka pasur një fluks të shtuar pacientësh që janë paraqitur për ndihmë mjekësore. Krahas shtimit të numrit të vizitave gjatë një 24-orëshi është rritur edhe numri i personave që shtrohen në spital për trajtim më të zgjatur mjekësor. Shefja e urgjencës në spitalin rajonal të Vlorës jep shifrat, simptomat dhe shkaqet kryesore të këtyre çrregullimeve.
“Kemi arritur në 120-125 vizita në 24 orë, nga këto rastet më të shtuara janë gastrinteritet e gjendjet febrile, të sëmurët kronikë, të sëmurët kardiakë dhe ishemi cerebrare si pasojë e rritjes së temperaturave”, deklaroi shefja e urgjencës së SRV, Lorena Arapaj.
Ndihmën e urgjencës së spitalit të Vlorës këtë sezon e kanë kërkuar edhe shumë shtetas të huaj që vijnë si turistë në qytetin bregdetar.
“Kryesisht janë nga Polonia, Ukraina, rusë, norvegjezë që nuk i kemi pasur vitet e kaluara. Janë me virozat e stinës dhe gjendjes febrile”, thekson ajo.
Mjekja apelon që të shmanget ekspozimi në orët e pikut në diell, apo edhe qëndrimi i gjatë në plazh. Gjithashtu higjiena dhe kujdesi në konsumimin e ushqimeve kanë rol të rëndësishëm në çrregullimet e shëndetit gjatë kësaj periudhe. (A2 Televizion)