Për të disatin vit radhazi, Ministria e Arsimit po përballet me fiktivitet të lartë notash në shkollat e mesme.
Nga analiza e fundit e Maturës Shtetërore 2022, rezultoi se shumë mësues vendosin nota të pamerituara apo dhe lejojnë maturantët të kopjojnë gjatë provimeve. Hasi, Kavaja dhe Kukësi kryesojnë për fiktivitetin më të lartë, nga 3 deri 5 nota plus apo minus, ndryshim që vihet re nga mestarja vjetore e shkollës në raport me atë të Maturës Shtetërore.
Për shkak të fiktivitetit të lartë të notave, Ministria ka anuluar përkohësisht rankimin e gjimnazeve sipas cilësisë.
Ministrja Evis Kushi deklaroi rishikimin e të gjithë procesit të Maturës Shtetërore për vitet në vijim. Ndërsa për sivjet do të ndryshojë procesi i administrimit, ku të gjitha provimet e Maturës do të zhvillohen në salla të mëdha, të monitoruara nga kamerat.
Një tjetër ndryshim për këtë vit është mundësia e rikorigjimit të testeve për rastet kur maturantët kanë kontestime.
Ndërsa për herë të parë, maturantët me aftësi ndryshe do të kenë teste të veçanta, enkas për nivelin e tyre.
Mjekësia e Përgjithshme do të rikthejë konkurset. Rreth 3000 kandidatë pritet t’i nënshtrohen provimit elektronik në Tiranë. Konkursi do të mbahet gjatë 10 ditëve, pasi kandidatët të kenë mbyllur provimet e Maturës Shtetërore. (A2 Televizion)