Pas gati 5 muajsh, ka marrë fund arratia për Henri Gjapin, të riun që më 31 mars të këtij viti i mori jetën një 46-vjeçari, pas një sherri. Autori është vënë në prangat e policisë, mëngjesin e kësaj të marte, teksa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale "Vrasje nga pakujdesia".
26-vjeçari, për motive ende të paditura, është konfliktuar me Gentian Taljan, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, ku më pas ka ndërruar jetë. Për të parandaluar sherrin ka ndërhyrë edhe Artur Gjolena, i cili ka goditur Henri Gjapin.
"Tiranë/Punë intensive për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim. Si rezultat i analizës së riskut dhe i veprimeve të thelluara gjatë verifikimit të gjenealiteteve, në hyrje të RSh-së, u vu në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për "Vrasje nga pakujdesia".
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, si rezultat i analizës së riskut dhe i veprimeve të thelluara gjatë verifikimit të gjenealiteteve të një shtetasi, kanë ndaluar shtetasin:
H. Gj., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Më datë 31.03.2023, në rrugën "Vaso Pasha", shtetasi H. Gj. është konfliktuar me shtetasin G. T., 46 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore. Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi A. Gj., i cili ka goditur shtetasin H. Gj. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme". (A2 Televizion)
Njoftimi i Policisë