Pinë ujë atje ku pi bagëtia, Bejkova e Ersekës e harruar

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2023, 12:16 | Sociale
Pinë ujë atje ku pi bagëtia, Bejkova e Ersekës e harruar

Fshati Bejkovë vetëm 7 km larg nga qyteti i Ersekës, është një realitet i hidhur i harresës dhe mungesës së investimeve edhe për shërbimet më bazike për jetën e një komuniteti, siç është rruga dhe uji i pijshëm. Në këtë fshat gjithçka ka mbetur siç ishte në kohën e monizmit, me të vetmin ndryshim që shumica e banorëve tashmë e kanë braktisur Bejkovën.

“Ikin nga e keqja, është jo për të ardhur keq po për gjynah. Si mund të kesh të ardhme këtu, çdo gjë është e mbaruar”, shprehet një banor.

Në Bejkovë nuk është investuar asgjë. Vijnë kur janë votimet, na kanë premtuar rrugë ujësjellës, ujërat e zeza e kanalizimet. Si demokratët e socialistët marrin votat dhe ikin. Mbushin thasët dhe kaq”, thotë një banore.

Një tjetër banore nuk nguron të tregojë se pinë ujë atje ku pi edhe bagëtia.

“Pinë qentë, macet, lopët dhe dhentë, pimë edhe ne”, thotë një tjetër.

Problematikat i pranon edhe kryeplaku i Bejkovës, i cili ashtu si banorët deri më tani ka marrë vetëm premtime

“E kam ngritur problemin në bashki e administratë kudo. Zërin e popullit e kam çuar, më kanë premtuar, por presim”, thotë kryeplaku i fshatit Petro Xhomaqi.

Ata pak banorë që kanë mbetur shpresojnë që në prag të zgjedhjeve lokale të këtij viti që do të mbahen në maj, të mund të përfitojnë ndonjë investim sa për të thyer harresën prej më shumë se tri dekadash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos