“Godisni Moskën me armët tona!”, Stoltenberg: NATO nuk do dërgojë kurrë trupa ushtarake në Ukrainë

Nga Erjon Dervishi
25 Maj 2024, 08:46 | Bota

“Godisni Moskën me armët tona!”, Stoltenberg: NATO nuk do

Aleanca e Atlantikut të Veriut, i ka lënë dorë të lirë Ukrainës që të godasë objektivat ushtarake brenda territorit rus. Kështu është shprehur, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një intervistë për prestigjiozen britanike The Economist, Stoltenberg, i bëri thirrje perëndimit që të lejojë Kievin të përdorë armët brenda territorit rus.

“Është koha që aleatët të shqyrtojnë nëse do tërheqin disa nga kufizimet që ata kanë vendosur në përdorimin e armëve që i dhuruan Ukrainës. Sidomos tani që shumë luftime po zhvillohen në Kharkiv, afër kufirit, duke i mohuar Ukrainës aftësinë për të përdorur këto armë kundër objektivave legjitime ushtarake në territorin rus, e bën shumë të vështirë për ata që të mbrohen”.

Më tej shefi i NATO-s, thekson se, Perëndimi nuk duhet të përfshihet në operacione luftarake. Kjo sipas Stoltenberg do të sillte një përshkallëzim të rrezikshëm deri në një konfrontim global.

“Nuk kemi ndërmend të dërgojmë trupa tokësore të NATO-s në Ukrainë. Ne duam të mbështesim Kievin, por gjithashtu të sigurojmë që situata të mos kthehet në një përshkallëzim konflikti në shkallë të plotë. Detyra jonë është të parandalojmë që kjo luftë të kthehet në një luftë të plotë midis Rusisë dhe NATO-s në Evropë”.

Sakaq, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën. Referuar mediave ndërkombëtare, ndihma kap vlerën e 275 milionë dollarësh dhe është dhënë me qëllim për të ndihmuar Kievin zyrtar kundër një ofensive ruse pranë Kharkiv. Ndihma sipas Moskës do të thotë përshkallëzim të luftës.

"Sinjalet që vijnë nga autoritetet amerikane janë absolutisht të qarta. Uashingtoni nuk dëshiron paqe në Evropë". Kështu ka deklaruar ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov. Sipas Antonov, Shtetet e Bashkuara "po bëjnë gjithçka që është e mundur për të zgjatur konfliktin dhe për të rritur humbjet nga pala ruse dhe ukrainase”.

Është i paqartë numri total i viktimave nga lufta, burimet ruse dhe ukrainase japin shifra kontradiktore. Kievi flet për 500 mijë rus të vrarë por Moska e mohon një shifër të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos