Sondazh: Cilat janë faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e një fëmije?
  • Edukimi shkollor 0%
  • Kujdesi familjar 100%
  • Ndikimi i shoqërisë 0%

“OSBE është bërë vegël e Perëndimit”, Lavrov sulmon SHBA dhe BE gjatë samitit të mbajtur në Shkup

Nga Rosalba Bejdo
30 Nëntor 2023, 17:40 | Bota

“Perëndimi po vret organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Europë, duke shkatërruar çdo mundësi për ringjalljen e grupit”. Edhe pse i papërkthyer dhe bojkotuar nga shumë prej pjesëmarrësve, fjalimi i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dominoi dukshëm samitin e OSBE në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku nuk ia kurseu sulmet Perëndimit.

Ai akuzoi organizatën se ishte shndërruar në vegël të SHBA dhe BE, ndërsa këto të fundit i kritikoi për hipokrizi dhe mospërfillje ndaj parimeve të organizatës. Edhe këtë herë, nuk la pa përmendur Kosovën, që, siç tha, iu hoq pa të drejtë Serbisë. 

“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal të pamaskuar kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe, në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu hoq Kosova pa asnjë referendum. Ka qenë në traditën tonë që të kemi fjalime pozitive, por kjo nuk po ndodh sepse OSBE-ja është bërë vegël e Bashkimit Evropian”, tha Lavrov.

Në praninë e ministrit të Jashtëm rus, liderët e Maqedonisë organizatore dhe kryesuese të OSBE-së, e po ashtu pjesëmarrësit e tjerë, theksuan mbështetjen për Ukrainën dhe e cilësuan luftën ruse si shkelje të parimeve të OSBE-së. Dimitar Kovaçevski tha: “Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet. Arritja e paqes mbetet imperative. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së”.

Bujar Osmani u shpreh: “Maqedonia e Veriut mori përsipër kryesimin me OSBE-në në një kohë lufte aktive dhe një kërcënim për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Agresioni rus kundër Ukrainës shkeli rregullat e kësaj organizate dhe shkeli sigurinë evropiane dhe njerëzore, dialogun dhe shkatërroi jetën e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga lufta”.

Në samitin e OSBE-së që po mbahet në Shkup, ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, por ai u largua pas darkës informale të mërkurën, për të shmangur përballjen me Lavrovin. Në punimet e takimit të së enjtes mori pjesë Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i cili i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.

Në këshillin ministror marrin pjesë 57 vendet anëtare të OSBE-së, përfshirë ministrin e Jashtëm shqiptar, Igli Hasani. Në fjalën e tij ai u ndal tek situata në Kosovë dhe tha se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër për Serbinë përveçse të njohë pavarësinë. 

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli