Presidentja Vjosa Osmani, pas shpërthimit në Zubin Potok, ka reaguar duke thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës dhe do të humbin sërish në përpjekjet e tyre për të sulmuar infrastrukturën jetike të vendit.
“Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”, shkruan Osmani në Facebook, përcjell A2 CNN.
Osmani shtoi se mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike.
“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë”, shtoi Osmani.
Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur sonte në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku si pasojë është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. (A2 Televizion)