Rama nesër viziton Gjermaninë, takim me Scholz për ekonominë dhe integrimin

Nga A2 CNN
6 Mars 2023, 17:14 | Politikë
Rama nesër viziton Gjermaninë, takim me Scholz për ekonominë

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Berlin, Gjermani, në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, rol të cilin Kryeministri Rama e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022.

Ditën e martë, Kryeministri do të zhvillojë një takim me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Kancelarinë Federale, me fokus koordinimin në kuadrin e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, ku do të diskutohet ndër të tjera mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë dhe të politikës së jashtme, si dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Pas takimit mes tyre, do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Rama do të takohet ndër të tjera me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.

Rama do të vizitojë gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 000 ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli