Analisti i A2, Afrim Krasniqi, në studion e “Ditari”, komentoi aktualitetin politik në vend, duke e konsideruar atë që po ndodh këto ditë si “një lojë me maska e partive politike, është më shumë një përpjekje për të përfituar kredenciale nga situata dhe deri diku për të krijuar imazhin se me të vërtetë kemi një debat publik dhe mosmarrëveshje midis palëve politike”.
“Kjo nuk ishte Reformë Zgjedhore, ishte një marrëveshje që të mos ketë reformë. Ky akord është në fuqi dhe nuk shoh vështirësi për kalimin e tij në Parlament. Ajo që po ndodh këto ditë është një lojë me maska e partive politike, është më shumë një përpjekje për të përfituar kredenciale nga situata dhe deri diku për të krijuar imazhin se me të vërtetë kemi një debat publik dhe mosmarrëveshje midis palëve politike. Ajo që quhet opozitë parlamentare nuk ka lidhje me përfaqësimin parlamentar, nuk ka eksperiencë, nuk ka legjitimitetin e duhur dhe nuk ka autoritetin e duhur për të kërkuar një ndryshim radikal moral në politikën shqiptare. Dhe duke qenë pjesë e pellgut politik të ditës, është normale që midis tyre gjithmonë ka pasur individë të cilët e kanë dhënë me kënaqësi votën për mazhorancën. Në rastin konkret, sidomos kur bashkohet mazhoranca me opozitën, nuk është fare problem për të siguruar 10 vota për të kaluar Kodin Zgjedhor. Vetë fakti që opozita parlamentare kërkoi takim me kryeministrin dhe kreun e Parlamentit, mendoj që ishte lëvizje e gabuar politike. Nuk mund të shkosh te njëra palë për diçka që konsiderohet zgjidhje institucionale. Ata kishin disa mekanizma në dorë që nuk i zbatuan. Për shembull, për ta kaluar marrëveshjen politike në Gjykatën Kushtetuese, në pikën ku thuhet se marrëveshja është mbi Parlamentin dhe vendimet e marrëveshjes janë automatikisht edhe vendime që duhen zbatuar dhe miratuar apriori në Parlament. Kjo mund të ishte bazë e mirë për gjykim nga Gjykata Kushtetuese. Palët nuk zgjodhën këtë, por kanë zgjedhur studiot televizive dhe rrjetet sociale. Është një politikë konsumi”, tha Krasniqi.
Në lidhje me heqjen e koalicioneve, Krasniqi tha: “Në vitin 2017, një nga pikat e marrëveshjes PS-PD ishte të mos lejohej regjistrimi i subjekteve të reja politike. Ishte një marrëveshje antikushtetuese, por kur dy partitë e mëdha miratojnë pika të tilla, KQZ vetëm i formalizon. Atë kohë pati disa ankesa dhe kritika nga ODIHR. Kleçka e këtij veprimi nuk është te eleminimi i partive të vogla, por në rastin konkret ka të bëjë me llogari politike. Që nga viti 1996, PS është parti e parë proporcionale në nivel kombëtar. Por, për herë të parë në historinë e pluralizmit, PS-ja sot është parti e vetme në pushtet. Duke qenë e tillë dhe parti e parë në sistem proporcional, nëse eliminohen koalicionet, automatikisht mandati i qeverisjes i shkon asaj për të gjetur partner, gjë që në kushtet e Shqipërisë është e lehtë sepse gjenden gjithmonë parti të gatshme që të tregtohen. Kjo është goditje e rëndësishme për opozitën, që e vetme nuk e mund dot PS-në, ndërsa në koalicion ka shanse, siç ka ndodhur më parë. Janë llogari që nuk lidhen me parimet”.
“Kur palët shkelin parimet kushtetuese për nevoja politike të ditës, ne paguajmë çmim të lartë. Por, kur palët me kompromis i shkelin në mënyrë të vazhdueshme, ne bëjmë hapa pas dhe Shqipëria sot po paguan çmimin e marrëveshjeve të palogjikshme dhe e mungesës së institucioneve shtetërore si institucione të garantimit të demokracisë funksionale. Edhe në rastin konkret, do të jetë shumë interesante për të parë se si do të arrijë mazhoranca dhe opozita të miratojnë një akord sipas të cilit, këto masa, siç është rasti i komisionerëve, nuk do të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme, por në ato pas këtyre që kemi përpara. Te ne krijohen shpikje që na bëjnë qesharakë pastaj kur vjen momenti për t’i zbatuar. Por, duhet parë sepse ende nuk kemi një draft në gjuhën shqipe, që duhet të ishte depozituar në Parlament dhe i publikuar për opinionin publik”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)