Samiti i NATO-s: Prezantohet agjenda 2030, Rusia dhe Kina kërcënim

Nga A2 CNN
15 Qershor 2021, 18:04 | Bota
Samiti i NATO-s: Prezantohet agjenda 2030, Rusia dhe Kina kërcënim

Aleanca veriatlantike është e bashkuar dhe e gatshme për t’u reformuar, në mënyrë që t’i përshtatet sfidave të së sotmes dhe së nesërmes. Në samitin e parë në prani fizike që prej shpërthimit të pandemisë e të parin që prej largimit të Trump, aleatët përmendin Rusinë dhe Kinën si rreziqet kryesore ndaj NATO-s.

Në përfundim të samitit të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe me një protokoll strikt të masave kundër koronavirusit, krerët e 30 shteteve anëtare u darkordësuan se Kina dhe politikat e saj ndërkombëtare përbëjnë sfida sistematike për aleancën, ndërsa për raportet me Rusinë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ishin në pikën më të ulët në disa kohë. Stoltenberg: Të gjithë liderët u dakordësuan se në një epokë kompeticioni global, Europa dhe Amerika Veriore duhet të qëndrojë e bashkuar në NATO, për të mbrojtur vlerat tona dhe interesat tona. Veçanërisht kur regjimet autoritare si Kina dhe Rusia sfidojnë rregullat në hapësirën e rendit kombëtar”.

Biden: “Rusia dhe Kina po kërkojnë që të dytë krijojnë një pykë në solidaritetin tonë transatlantik. Ne po shohim një rritje të aktivitetit kibernetik me qëllim të keq, por Aleanca jonë është ende një themel i fortë mbi të cilin mundemi që siguria jonë kolektive dhe prosperiteti ynë i përbashkët të vazhdojnë të ndërtohen.”

Në pjesëmarrjen e tij të parë në NATO, si president i SHBA, Joe Biden siguroi aleatët se SHBA janë të përkushtuara për një marrëdhënie të fortë e të qëndrueshme dhe se epoka e pasigurive, nën udhëheqjen e paraardhësit të tij ishte tanimë pjesë e së shkuarës.

Biden: NATO qëndron e bashkuar. Kështu jemi përballur me çdo kërcënim tjetër në të kaluarën. Është forca jonë më e madhe, ndërsa plotësojmë sfidat tona për të ardhmen. Dhe ka shumë. Të gjithë në atë dhomë e kuptuan vlerësimin e përbashkët. Sinqerisht mund të them se Amerika është kthyer.”

Ne kuadër “Iniciativa NATO 2030”, e cila synon të përshtatë NATO-n ndaj sfidave të reja, u dakordësuan mbi 8 fusha kyçe, ndër të cilat për rritjen e konsultimeve mes partnerëve, forcimin e mbrojtjes dhe aftësive parandaluese, thellimin e përparësisë teknologjike apo intensifikimin e stërvitjeve me partnerët. Rritja e buxhetit për mbrojtjen, Afganistani dhe klima ishin po ashtu në fokus.

Në samit ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili zhvilloi një takim me homologun grek Kyriakos Mitsotakis. Dy udhëheqësit u dakordësuan për të përshpejtuar negociatat për arritjen e një marrëveshje lidhur me çështjen detare, ndërsa Greqia shpreh po ashtu përkrahjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një prej takimeve më të rëndësishme në kuadër të samitit ishte ai mes presidentit Biden dhe udhëheqësit turk Rexhep Taip Erdogan.

Erdogan-Joe Biden: “Ne patëm një takim pozitiv dhe produktiv, pjesa më e madhe një për një. Ne patëm diskutime të hollësishme sesi të procedojmë për një numër çështjesh”.

ERDOGAN: “Ne mendojmë se nuk ka çështje që nuk zgjidhen brenda marrëdhënieve SHBA-Turqi dhe se fushat e bashkëpunimit për ne janë më të pasura dhe më të mëdha se problemet”.

Epilogu i një jave të ngjeshur diplomatike do të jetë të mërkurën, kur presidenti amerikan do të takohet me njeriun që pak kohë më parë e ka cilësuar një vrasës, presidentin Vladimir Putin. Pritshmëritë nuk janë shumë të larta, por shpresohet që të paktën mes dy Rusisë dhe SHBA të rivendoset një  marrëdhënie e qëndrueshme dhe e parashikueshme!

Për A2 CNN nga selia e NATO-s ne Bruksel Rosalba Bejdo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos