Samiti SHBA-Rusi, Biden dhe Putin brenda një vile për 5 orë në Gjenevë

Nga A2 CNN
16 Qershor 2021, 10:02 | Bota

Sot është dita e superfuqive të mëdha botërore. Për herë të parë që prej marrjes së detyrës, presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me homologun rus, Vladimir Putin, në samitin që mbahet në Gjenevë të Zvicrës.

Bisedimet do të zhvillohen në një vilë pranë liqenit. Sipas zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, ballafaqimi mes dy liderëve të vendeve më të fuqishme të botës, do të zgjasë të paktën 5 orë. Biden dhe Putin nuk planifikojnë të ndajnë ndonjë vakt së bashku dhe as të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në vend të kësaj, adresimet do të jenë veç, ndoshta për të shmangur ndonjë përplasje në transmetim të drejtpërdrejtë. Atmosfera është e qetë në Gjenevë, ndërsa qyteti është blinduar për të garantuar sigurinë e këtij eventi.

Mijëra policë dhe agjentë janë angazhuar për mbarëvajtjen e samitit SHBA-Rusi. Shtimi i sigurisë nuk është pëlqyer shumë nga banorët, të cilët thonë se jeta e tyre e përditshme është shqetësuar. Të tjerë thonë se ky takim madhor i bën një publicitet të mirë qytetit.

https://a2news.com/2021/06/14/cfare-duhet-te-presim-nga-takimi-biden-putin/

Pavarësisht kohës së mirë me diell, përballja Biden-Putin ka premisë të jetë një takim luftarak pas mosmarrëveshjeve mbi spiunimin, piraterinë, ndërhyrjen në zgjedhje, Ukrainën, Bjellorusinë dhe të drejtat e njeriut.

Samiti vjen pasi presidenti amerikan e quajti vrasës homologun rus. Zvicra neutrale, e cila nuk u bashkua me sanksionet perëndimore kundër Rusisë për aneksimin e saj të rajonit të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, loboi shumë për të organizuar samitin e parë të madh të fuqive të mëdha në vendin Alpin në dekada.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli