Damian Gjiknuri mbi 6 orë shpjegime në SPAK për një “sekret hetimor”

Nga A2 CNN
1 Mars 2024, 20:21 | Aktualitet
 

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, qëndroi për më shumë se gjashtë orë në SPAK këtë të premte. Ai mbërriti në godinën e xhamtë në orën 09:10 minuta, i pa shoqëruar nga një avokat mbrojtës.

Burime zyrtare të Strukturës së Posaçme nuk bënë të ditur se për cilën çështje hetimore dha shpjegime deputeti Gjiknuri dhe as cilësinë në të cilën u pyet nga prokurorët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Edhe vetë ish-ministri i kabinetit Rama u kursye në ndarjen e çështjes për të cilën dha shpjegime, duke i qëndruar besnik ruajtjes së sekretit hetimor. 

Teksa zgjodhi të mos ndajë detaje në publik, emri i ish-zyrtarit të lartë socialist ka dijeni për rrethana apo po verifikohet në të paktën tre dosje në SPAK. Në shkurt të vitit të shkuar ai dha shpjegime, për llogari të një kallëzimi të bërë prej tij si ish-ministër për abuzimet me fondet në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Nga ana tjetër, në hetimin ndaj ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj, SPAK ka ngritur dyshime që në dy raste biznesmeni i inceneratorëve, Klodian Zoto ka rezervuar hotel në Frankfurt dhe Vjenë për të.

Në qëndrime publike deputeti Gjiknuri e ka mohuar këtë fakt. Po ashtu, Gjiknuri ka pranuar publikisht të ketë takuar ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal, në vizitat e tij në Shqipëri, ndërkohë që SPAK po heton një kallëzim të deputetit demokrat, Gazment Bardhi, për kontaktet e tij me zyrtaret e lartë të qeverisë.  

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli