Po vijnë më shumë turistë, por po shpenzojnë më pak para. Paradoksi i “bumit të pushuesve të lirë” po përsëritet edhe këtë vit. Në tre muajt e parë të vitit, çdo i huaj që vizitoi Shqipërinë shpenzoi vetëm 513 euro. Ndërkohë në harkun e muajve janar-mars të një viti më parë, për të udhëtuar, akomoduar dhe u ushqyer një turist i huaj shpenzoi mesatarisht 583 euro.
“Në përgjithësi një pjesë e madhe e këtyre turistëve kanë ardhur me këtë qëllim, janë ballafaquar me çmimet si në vendet e tyre, kanë ngelur të zhgënjyer, kanë thënë jo se nuk qenka e lirë. Rrjedhimisht kanë shpenzuar më pak”, thotë Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar.
Kjo pohohet edhe nga pushuesit e huaj që po rezultojnë turistë “low cost”.
“Biletat e avionit janë të lira. Transporti brenda vendi dhe akomodimi gjithashtu, Mirëpo ushqimet janë të kushtueshme. Nuk i ngjason promocioneve që kemi parë. Çmimet e larta do të thonë rrjedhimisht më pak shpenzime”, shprehen turistët e huaj.
Megjithatë, si pasojë e zgjerimit me gati 50 për qind të numrit të turistëve të huaj, të ardhurat nga ata që vizituan vendin në harkun e muajve janar-mars arritën në 788 milionë euro nga 624 milionë në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
“Synimi jonë është të tërheqim turistët cilësor duhet të kemi shërbim cilësor, që për fat të keq shumë pak ofrohet. Kjo ka disa arsye por e para infrastruktura, duke filluar nga rrugët, ndriçimi kazanët e plehrave etj”, shprehet Kasa.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se deri në mars vendin e vizituan pak më shumë se 1.5 milionë të huaj. (A2 Televizion)