5 orë në SPAK. Kryemadhi mohon ndërhyrjet estetike, tregon ku ndahet me Metën

Nga Armand Bajrami
12 Qershor 2024, 19:24 | Kronikë

Për 5 orë me radhë gjatë së mërkurës, Monika Kryemadhi dha shpjegime në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në godinën e qelqtë, ku nuk shkelte për herë të parë, Kryemadhi u paraqit e pashoqëruar me avokat. Ajo tha se ishte pyetur si person në dijeni, në lidhje me kallëzimet e bëra ndaj saj në SPAK: “Isha për t’u përgjigjur rreth padisë së rremë që ka bërë Veliaj me suflerëte vet, me shërbëtorët e tij. Iu përgjigja të gjitha pyetjeve dhe në bazë të të dhënave të mia dhe ato që ka mbledhur SPAK ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë për akuzat që kanë ngritur. Besoj që e ezauruam aspektin e pyetjeve dhe të përgjigjeve, e firmosa me vetëdije të plotë duke marrë përgjegjësitë e mia si qytetare, deputete, bashkëshorte, nënë”. 

SPAK po heton në një dosje të vetme kallëzimin ndaj Kryemadhit për lobimin 700 mijë euro të LSI në SHBA, pasurinë e saj dhe bashkëshortit ish-president, Ilir Meta, dhe mosjustifikimin e pagesave të majme të kryera në një klinikë mjekësore jashtë vendit për ndërhyrje estetike.

“Nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Botoks patjetër që kam bërë si gjithë gratë dhe burrat”, tha Kryemadhi për mediat. 

Duke përmendur gjashtë kallëzime për inceneratorët që ka bërë në SPAK, Monika Kryemadhi tha se luftën nuk e kishte me këtë institucion, por me politikën. Pyetjes nëse ndahej apo jo me Ilir Metën për sulmet ndaj SPAK iu përgjigj me një fjalë: “Ndahemi”.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni