Inceneratori i Tiranës, SPAK kërkon prapë dënim me burg për Lefter Kokën

Nga Armand Bajrami
7 Shkurt 2025, 17:19 | Kronikë

Për të tretën herë brenda një harku kohor prej 2 vjetësh, Struktura e Posaçme, SPAK kërkon një dënim me burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Këtë herë SPAK kërkoi 4 vite burg ndaj tij, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, kryer gjatë lidhjes së kontratës koncesionare të inceneratorit të Tiranës.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimit të kërkuar i ulet një e treta dhe sipas pretencës, Koka dhe gjithë të bashkëpandehurit e tij duhet të përjashtohet 5 vite nga e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.

E njëjta masë dënimi për të njëjtën akuzë kërkua nga SPAK edhe ish-zyrtarët e Mjedisit dhe Bashkisë Tiranë, Bledar Karoli, Fatjon Murati, Taulant Tushe dhe Namik Simixhi.

Më e butë ishte dënimi i kërkuar për të pandehurat Valbona Ballgjini e Sidita Kopliku, nga dy vite burg, por përfundimisht konvertim të tij në 4 vjet Shërbim Prove.

Dy vjet burg u kërkuan për Jetmir Llapajn. Sipas SPAK, ish-ministri dhe ish-zyrtarët e pandehur të ministrisë së Mjedisit kanë ndihmuar shoqërinë “Integrated Energy BV” të zotëruar nga Klodian Zoto, që të pajisej me dokumentacionin e nevojshëm para dhe pas procedurës koncesionare, me qëllim që të shpallej fituese. Hetimi ka zbuluar komunikim mes tyre dhe dijeni nga shoqëria për dokumentacionin e nevojshëm para se të paraqitej propozimi i pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit.

Edhe të dhënat për studimin e fizibilitetit, thotë SPAK, janë marrë nga Ministria e Mjedisit, ndërsa zyrtarët shtetërorë kanë shkelur ligjin, duke rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore në 29 euro/ton.

Paralelisht me këtë çështje, në gjykatë do gjykohet veçmas për “korrupsion” ish-sekretari i Përgjithshëm i Mjedisit, Alqi Bllako dhe për “shpërdorim detyrë” katër ish-zyrtarë, që nuk kërkuan gjykim të shkurtuar. Po ashtu, SPAK ka të hapur të hapur një fraksion të hetimit për inceneratorin e Tiranës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos