Ministria e Drejtësisë ka dhënë disa detaje në lidhje me ekstradimin e shtetasit Gëzim Çelaj alias Çela. Me anë të një njoftimi për mediat, ministria shkruan se: shtetasi Gezim (Gëzim) Çelaj alias Çela, i biri i Xhemal dhe i Fatime, lindur më 07.04.1968, në Krujë, do të ekstradohet nga Kosova në Shqipëri.
Sipas këtij dikasteri, ekstradimi i tij do të bëhet me procedurë të thjeshtuar, dhe në vijim të komunikimit mbi këtë kërkesë për ekstradim, Ministria e Drejtësisë të Kosovës, me e-mailin e datës 26.02.2024, ka përcjellë njoftimin e autoriteteve kosovare të drejtësisë mbi vendimin Nr. 05179662, dt. 11.01.2024 të Gjykatës Themelore në Ferizaj/ Kosovë, për lejimin e ekstradimit të thjeshtuar këtij shtetasi, për shkak se ky shtetas ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.
“Kërkesa për ekstradimin e shtetasit të lartpërmendur bazohet në:
-Vendimin Nr. 110, datë 08.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28, 333/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
-Vendimin Nr. 102, datë 30.09.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, i ndryshuar me Vendimin Nr. 121, datë 07.12.2015, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për dënimin e tij me 10 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 2283/2, 278/3 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.”, thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Kujtojmë se, Gëzim Çela, i njohur ndryshe edhe si “baron” droge u arrestua më 8 dhjetor në Kosovë. Ish-punonjësi i policisë është konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë. Ndërsa ndaj tij ishin lëshuar disa urdhër arreste.
Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit antidroge “Flakë në det”, që nisi më 15 gusht të këtij viti, ku u arrestuan shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj dhe u shpallën në kërkim tre të tjerë. (A2 Televizion)