Berisha në SPAK, orët e lirisë së ish-kryeministrit, çfarë ndodhi përballë prokurorëve?

Nga Armand Bajrami
23 Janar 2024, 17:18 | Politikë

Kur një patrullë policie mbërriti poshtë shtëpisë së ish-kryeministrit Sali Berisha mëngjesin e së martës, në kafenenë pranë ndodheshin edhe dy avokatët e tij. Të dy palët kishin një qëllim: të shoqëronin ish-kryeministrin në SPAK. Pas 25 ditësh izolimi në banesë, vajtja në SPAK nënkuptonte pak orë liri për Sali Berishën. “Beteja vazhdon, beteja pa kthim vazhdon”.

Në mbërritjen para SPAK ish-kryeministri u përball me brohorimat e deputetëve të PD dhe mbështetësve të tij, që prej tre javësh i dëgjonte veç nga dritarja.

“Jam sot këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e strukturuar kriminal në këtë ndërtesë”, u shpreh Berisha.

Gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar Sali Berisha refuzoi dy vendime gjyqësore që e detyronin të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme SPAK. Por mëngjesin e së martës, në orën 10:04 ish-kryeministri kaloi këtë portë për të vajtur në prokurori dhe përballur sy më sy me prokurorët që e akuzojnë për korrupsion.

Përballja e Berishës më prokurorët nuk zgjati më shumë se 1 orë e 40 minuta dhe sipas ish-kryeministrit, nuk kishte qenë një përballje klasike mes prokurorëve dhe një personin nën hetim.

“Gjeta aty një grup të terrorizuar. Në një karrige bosh qëndronte McGonigal. Në karrigen tjetër qëndronte Edi Rama. Nuk u mor vesh se kush drejtoi pyetje më shumë, ata mua, apo unë atyre. Kam ardhur këtu, ju thashë, te shemb piramidën e turpshme të mashtrimit, që keni ndërtuar, me shpifje, trillime, mashtrime e falsifikime”, deklaroi Berisha.

Berisha i konsideroi pyetjet e prokurorëve si mediokre, ndërsa avokati si jashtë procedurës. Ish-kryeministri pretendoi se ka prokurorë të SPAK që kanë bashkëpunuar me ish-agjentin e FBI, Charls McGonigal dhe se PD ka dërguar një material në SHBA për këtë çështje.

“Një atmosferë mortore nga skandali McGonigal dhe Rama. Skapistët kanë patur lidhje të ngushta me McGonigal dhe në momentin e caktuar absolutisht do t’i bëj publike, por sqaroj gjithashtu se ne kemi dorëzuar një dosje pranë SHBA, me të gjitha të dhënat që ne disponojmë për këtë aferë”.

I pyetur nga A2CNN nëse i druhet djegies së mandatit të deputetit, nëse nuk lejohet të dalë nga arresti shtëpiak përtej një afati 6 mujor Berisha u përgjigj: “Ky ishte një akt antikushtetues, anti-ligjor i grupi kriminal Rama-Dumani-Kraja-Millonai. Për personat e zgjedhur dispozita ligjore përcakton se çështja e mosvajtjes tyre në punë vendoset vetëm pas vendimit të prerë të gjykatës. Por këta s’kanë ligj, s’kanë moral, s’kanë të drejtë. Sigurisht ajo është pjesë e skenarit”.

Por teksa iu përgjigj gazetarëve, a e konsideroi Berisha të thyer urdhërimin e gjykatës për të mos komunikuar?

“Po më dolën gazetarë përpara, harroje ti që unë njoh ligj tjetër veç ligjit të fjalës së lirë dhe komunikimit me ta”, tha Berisha.

Në rrugën e kthimit, mbresat e orëve të lirisë i lidhi me mbështetësit.

“Kënaqësia ishte e shumëfishtë të vazhdonim me ta betejën. Sot ka qenë një ditë triumfi të betejës sonë pa kthim në skutat më të errëta të organizatës kriminale skap. Mirupafshim dhe ju ftoj në miting, sot pasdite në miting të gjithë”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos