““Bipartizanët” kanë zgjidhur krizat”, Bylykbashi: Rama nuk do konsensus, por pazar me Bashën

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2024, 15:19 | Politikë

Oerd Bylykbashi nga Grupi parlamentar demokrat deklaroi se nuk është Edi Rama ai që përcakton opozitën. Pasi renditi te gjitha problematikat e proceseve zgjedhore, Bylykbashi tha se kryeministri nuk është i interesuar për reforme konsensuale, ndaj sipas tij, socialistet duan ta mbyllin atë me Lulzim Bashën.

“E ka deklaruar në dhjetor që historia konsensusi nuk vlen për të. Ai kërkon numra e pazar për në parlament për të miratuar ato që do ai në zgjedhje që të jenë si zgjedhjet e 14 majit, zgjedhjet 2021, 2017 apo 2019. Ajo që kërkon opozita është vendosja e rregullave të ndershme e të  barabarta që të pengojnë shtetin të futet në zgjedhje, që shteti të ndahet nga partia në pushtet, që të ndalohen kriminelët të blejnë vota, që të ndalohet sistemi kriminal i patronazhimit, të miratohen rregulla të qarta që kush ndikon mbi sekretin e lirinë e votës së qytetarëve të përballet me drejtësinë. Të ketë rregulla më të forta që SPAK e prokurori i përgjithshëm të mos i shmangen detyrave që kanë me ligj. Këto Rama nuk i do se kërkon reforme zgjedhore ta mbyllë me atë që ka bërë pazar, me Lulzim Bashën. Nuk mundet Rama të përcaktojë se kush është opozita. Ky komision është i ndërtuar veçmas asaj që sot thotë rregullorja, asnjë gërmë në rregulloren e kuvendit nuk parashikon komision bipartizan 50% me 50% mazhorancë me opozitë me bashkëkryetar se kjo është tradita e mirë që kemi vendosur në këto 20 vite për të zgjidhur konflikte e krizë. Ky komision ka shërbyer si kanali që ka shfryrë krizën politike në parlament, por Rama ka hallin të krijojë një krizë tjetër shtesë se ka hallin për skandalet që i plasin përditë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos