Nga kryetar në detyrë me kryetare të komanduar për Himarën, Këshilli zgjedh Blerina Balën

Nga Gazmend Janku dhe Jerola Ziaj
29 Mars 2024, 12:10 | Politikë

Nga kryetar në detyrë me kryetare të komanduar për

Pas 10 muajsh me kryetar në detyrë, tashmë bashkia e Himarës ka një kryetare të komanduar në krye të saj. Me shumicë të votave të këshillit bashkiak të Himarës, u caktua nënkryetarja Blerina Bala të ushtrojë detyrat e kryebashkiakes së Himarës deri në zgjidhjen e problematikës që ka mbërthyer postin e kryetarit të kësaj bashkie, pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur më 14 maj Fredi Belerit dhe arrestimit 10 muaj më pas të kryetarit që ishte në detyrë, Jorgo Goros.

Nga totali prej 16 votash pro Balës, 9 janë nga anëtarët e PS në këshill ndërsa 7 të tjera nga partitë e opozitës. Pas zgjedhjes, kryetarja e komanduar nuk ka preferuar te prononcohet për mediat, por ka preferuar të shpërndajë në mënyrë elektronike mesazhin e saj

Zgjedhja e Blerina Balës u parapri nga tensione të mbështetësve të kryetarit të zgjedhur Fredi Belerit dhe opozitës, të cilët kanë refuzuar praninë në sallën e mbledhjes të prefektit të Vlorës Vangjel Tavo, dhe drejtuesit politik të PS Blendi Klosi.

Për shkak të këtyre kundërshtive mbledhja u spostua në ambiente e godinës së Bashkisë, ku u realizua edhe procedura e zgjedhjes. Sakaq, përkrahës të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri e kanë cilësuar si farsë komandimin e Blerina Balës në krye të bashkisë.

Ndërsa për prefektin e Vlorës, ato persona që shfaqën kundërshti dhe nuk lejuan zhvillimin normal te mbledhjes janë një pakicë dhe se qëllimi i kësaj procedure është që të fillojë sa më shpejt puna për trajtimin e problemeve të himarjotëve përfshi edhe ata që kundërshtuan.

“Duke lënë mënjanë keqkuptimet dhe konfliktet e nxitura nga politika për interesa të vogla që kanë marrë peng të gjithë interesat e komunitetit himarjot. Është një stuhi në gotë dhe nuk mund të zgjasë pafund. Na presin punë të mëdha në Himarë duke filluar me zgjidhjen e problematikës kryesore, që të tre njësitë administrative të Himarës kanë me vonesat që janë krijuar me hipotekimin e pronave të tyre. Unë si prefekt në bashkëpunim me kryetaren e sapo caktuar dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës do të fillojmë që nga dita e martë që të përfundojmë të gjithë procesin e pajisjes së qytetarëve të kësaj bashkie me dokumentin hipotekor. Motivi im është bashkim, bashkëpunim dhe punë. Kështu do të vazhdoj siç kam bërë që nga dita e parë që kam nisur punën në prefekturën e Vlorës.”

Tavo ka deklaruar gjithashtu se ka nisur puna së bashku me Kadastrën për pajisjen e himarjotëve me titujt e pronësisë të pronave që u takojnë ligjërisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos