“Integrimi në BE, jo shpejt”, Rama: Marrëveshja Kosovë-Serbi, një domosdoshmëri për rajonin

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2023, 17:27 | Politikë

Kryeministri Edi Rama duke folur për Këshillin Atlantik tha që Ballkani Perëndimor ka ende një problem të madh për të zgjidhur, që lidhet me dialogun me Kosovës dhe Serbisë.

Më lejoni t’iu them së pari se ne jemi një rajon që ka kompleksitet shumë të mëdha dhe mes kompleksiteteve të tjera ne jemi një rajon shumë fetar. Kemi ende një elefant të madh në dhomë që ende nuk na jep atë pjesëzën e fundit që është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe siç e kemi parë më shumë se një herë, kjo copëz politike, më e vështira deri më sot në rajon, ka treguar se është vërtet domosdoshmëri. Duhet të trajtohet dhe të zgjidhet kjo çështje midis Kosovës dhe Serbisë me një njohje të plotë të Kosovës dhe praktikisht me paqen përfundimtare.

Referuar sulmit terrorist nga grupi paramilitar i udhëhequr nga Milan Radojçiç në Banjskë, Rama tha se tregon sesa e brishtë është paqja në rajonin tonë.

Ai po ashtu gjeti rastin t’i “tërheqë veshin” autoriteteve në Serbi për qasjen që patën ndaj ngjarjeve në Veri, duke shpallur ditë zie kombëtare për agresorët që humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë e Kosovës.

Ajo çfarë ndodhi në ngjarjen tejet tragjike pak muaj më parë ishte absolutisht një shenjë shumë e fortë dhe një kambanë e mirëfilltë alarmi e potencialit që ka një çështje e tillë e pa zgjidhur për tu bërë një çështje vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Në këtë rast sigurisht është shumë e qartë përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë drejtpërdrejtë në veprimet kriminale që duhet të ushtronin terror në veri të Kosovës, por edhe përgjegjësia e Beogradit i cili nuk e dënoi, por në të kundërt shpalli ditë zie kombëtare në nder të këtyre kriminelëve. Megjithatë edhe një herë, duhet të mos biem pre e konfrontimeve, të mos biem pre e përshkallëzimeve, por të dyfishojmë, trefishojmë përpjekjet për tu normalizuar dhe për të bërë paqe. Më duhet të them se jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen dhe qëndrimin e autoriteteve të Kosovës dhe duke pranuar në parim asocacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës dhe qeveria e Kosovës kanë dëshmuar vullnet të rëndësishme për të ecur përpara dhe për të kërkuar zgjidhje dhe jo alibi apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes.

Ndërsa për sa i përket integrimit të rajonit, Rama nuk tregoi optimizëm se do të ndodhë shumë shpejt, për shkak të 27 vendeve që nuk bien asnjëherë të gjithë dakord.

Ideja e rajonit si një pasuri shumë e rëndësishme gjeopolitike për BE-në është materializuar praktikisht në realitetin e fakteve. Tanimë jemi në një vend ndryshe, por kjo nuk nënkupton që integrimi dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë apo i të tjerëve në BE do të jetë diçka që do të vijë shumë shpejtë, do kërkojë kohë. Nuk jam i fiksuar për teknikalitete. Kemi nisur bisedimet, negociatat janë në vazhdim, kemi ecur shumë mirë. Ashtu siç e ka theksuar edhe raporti i progresit faqe pas faqe edhe këtë vit, kjo është ajo çka është e rëndësishme. Cilat do të jenë aspektet teknike? Nuk do përpiqem apo t’i kushtoj shumë energji për ta kuptuar sepse është proces i ndërlikuar, është një proces kompleks dhe është ashtu siç duhet të jetë. Pjesa e tij e rëndësishme për ne është që ne të bëjmë gjërat e duhura dhe siç e dimë midis gjërave të duhura dhe miratimit të gjithçkaje tjetër ka 27 vende anëtare. Ata janë të gjithë së bashku për parimet e përgjithshme dhe të mëdha, por nuk bëhen gjithmonë bashkë kur vjen fjala për të marrë vendime kështu që le të rrimë të qetë lidhur me këtë.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos