Skleroza multiple, pacientët thirrje për trajtime të kohës dhe punësim

Nga Ornela Joti
25 Maj 2024, 14:12 | Sociale

Tanush Çaushi është inxhinier ndërtimi por sot e ka të pamundur të ndjekë punimet, si kolegët e tij në kantiere. Ai vuan nga skleroza multiple, një sëmundje neurologjike autoimune që po i vështirëson lëvizjen nga dita në ditë.

Për këtë arsye Tanushi punon projektues nga zyra. Ai nuk fsheh vështirësitë 10-vjeçare që nga dignostikimi me këtë çrregullim, për të mbajtur disi në kontroll sëmundjen që vetëm avancon.

Në Shqipëri janë mbi 1800 persona të prekur nga skleroza multiple. Trajtimi  me medikamentet e duhura mbetet shqetësimi kryesor për këtë kategori.

Tanushi thotë se lista e barnave të rimbursueshme nuk ka ndryshuar për ta që prej 2014, pavarësisht se mjekësia ka avancuar me trajtime të reja. Si kryetar i shoqatës “Pema e jetës”, Tanushi na tregon se mbi 90% e personave të prekur nga skleroza multiple në vendin tonë janë të papunë dhe pa mbështetje psikologjike.

Ai i bën thirrje shtetit për mbështetjen e kësaj kategorie, ndërsa si inxhinier ndërtimi tregon se institucionet shtetërore nuk kanë kushtet teknike për të siguruar lëvizjen e personave më aftësi ndryshe.

Skleroza multiple është një çrregullim nervor autoimun që shenjat e para i jep me dobësitë trupore, mpirje të gjymtyrëve, humbje ekuilibri dhe probleme me shikimin. Sipas studimeve kjo sëmundje shfaqet rreth moshës 20 deri 35 vjeç, e më të prekrurat janë femrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos