Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, që i dha të drejtën prokurorit të shkarkuar nga vetingu Besnik Cani të rihapë çështjen, nuk është një vendim përfundimtar. Sipas ekspertit ligjor, Bledar Dervishaj, në Strasburg ekziston mundësia qe shteti shqiptar ta kundërshtojë vendimin.
“Palët në proces mund të bëjnë kërkesë për ta referuar këtë çështje në Dhomën e Madhe, kërkesë e cila duhet të merret në shqyrtim nga një kolegj tjetër i GJEDNJ. Nëse vendos pranueshmëri çështja automatikisht kalon në Dhomën e Madhe ku gjithë gjyqtarët mund të shprehen me vendim duke e ndryshuar vendimin ekzistues, apo duke e elaboruar edhe më gjerë situatën në funksion të zbatimit sa më të mirë të konventës dhe kur çështja paraqet rëndësi”, u shpreh Dervishaj.
Por në rast se vendimi i së martës në Strasburg bëhet përfundimtar, zbatimi i tij nuk duket i lehtë për shtetin shqiptar. Eksperti Dervishaj vlerëson nevojën e ndryshimeve ligjore, që mund të shkojnë deri në nivelin e ligjit themelor, Kushtetutës.
“Instituti i rishikimi të vendimit të formës së prerë mungon në procesin e rivlerësimit, nuk ekziston. Ashtu si e kemi në fushën penale, në fushën civile, në fushën administrative. Në procesin e rivlerësimit ky shtrat i shëndoshë ligjor mungon. Nuk shkoi në Dhomë të Madhe, mori formë të prerë, Kuvendi i Shqipërisë do të duhet ta marrë në shqyrtim këtë çështje dhe do të duhet të bëjë ndërhyrje ligjore, ndërhyrje që mund të afektojnë ligjin e rivlerësimit, por nuk është çudi dhe aspak e papranueshme, që edhe ndryshimet kushtetuese”.
Ndryshimet në Kushtetutë për vetingun, sipas tij, nuk duhet të kufizohen vetëm te zbatimi i vendimit të Strasburgut.
“Mendoj se duhet të shkojë për të riparuar edhe ato çka ky proces na ka nxjerrë në dukje në këto 3-4 vjet, qoftë në shtim të numrit të gjyqtarëve në KPA dhe KPK, qoftë dhe përfshirjen e institutit të rishikimit të vendimit të formës së prerë, vetëm me kushte e kritere të përcaktuara, nëse GJEDNJ konstaton shkelje të neneve dhe parimeve të njohura nga Konventa. Procesi i rivlerësimit kalimtar duhet të mbyllet shpejt, pasi mbajtja hapure tij trondit sistemin e drejtësisë, e bën atë të lëkundshëm”.
Në vendimin e së martës, Strasburgu konstatoi se ish-prokurorit Besnik Cani i ishte cenuar e drejta e procesit të rregullt ligjor në Shkallën e Dytë të vetiungut. Shkak ishte prania e gjyqtarit Luan Daci në kolegj, që sipas Strasburgut nuk duhet të ishte zgjedhur si gjyqtar në KPA. (A2 Televizion)