Zgjedhjet e 14 majit, mbyllet zyrtarisht procesi i votimit

Nga A2 CNN
14 Maj 2023, 19:00 | Politikë
Zgjedhjet e 14 majit, mbyllet zyrtarisht procesi i votimit

Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin për zgjedhjen e 61 kryetarëve të rinj të bashkive dhe këshillat bashkiakë.

Mbi 3 milionë e 650 mijë qytetarë kishin të drejtën për të votuar për zgjedhjen e drejtuesve të rinj lokalë që do të drejtojnë bashkitë për 4 vitet e ardhshme.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit, teksa incidente të vogla shoqëruan procesin zgjedhor.

Problematikat më të mëdha u hasën me Pajisjet e Identifikimit Elektronik, çka detyroi KQZ që dy orë pas hapjes së qendrave të merrte një vendim për vijimin e procesit në mënyrë manuale.

Incidenti më i rëndë u shënua në bashkinë e Kolonjës, ku një mbështetës i opozitës goditi kryebashkiakun Erion Isaj, teksa në një incident të ngjashëm u përfshi dhe deputeti Edmond Spaho.

Raste sporadike të fotografimit të votës u raportuan në disa qendra, teksa dy krahët PS dhe “Bashkë Fitojmë” akuzuan njëra-tjetrën për thyerje të heshtjes zgjedhore dhe intimidim të votuesve dhe kërkuan ndërhyrjen e Komisionerit.

Sipas të dhënave paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 18:00 votuan rreth 36.39% e votuesve.

Në këto zgjedhje u zhvillua procesi i votimit elektronik në bashkitë e Kamzës, Vorës dhe Elbasanit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli