Buxhet i paqartë, politika që vështirësojnë arritjen e objektivave dhe mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve. Janë këto disa nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) pas auditimeve të kryera në Kryeministri, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, atë të Shëndetësisë dhe Turizmit e Mjedisit.
Pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Igli Tola, shprehet për A2 CNN: “Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në lidhje me politikat, por problematika qëndron te implementimi sepse ka edhe kosto”.
Teksa tregon se në 5 vite janë kryer vetëm 3 mbledhje dhe nuk është publikuar asnjë raport mbi zhvillimin e qëndrueshëm, KLSH i rekomandon Kryeministrisë që të rrisë rolin e saj koordinues dhe të marrë masa për të rritur nivelin e harmonizimit të politikave sektoriale kombëtare me zhvillimin e qëndrueshëm, duke mos cenuar mjedisin.
Në shtator 2015, në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, qeveria e Shqipërisë, së bashku me 192 vendet anëtare të OKB-së, është angazhuar për zbatimin e Agjendës 2015-2030 për zhvillim të qëndrueshëm, nëpërmjet miratimit të deklaratës së përbashkët. (A2 Televizion)