De Laurentis bllokon Spalleti-n te Italia: Federata të paguajë klauzolën, çështje parimesh

Nga A2 CNN
16 Gusht 2023, 09:17 | Futboll
De Laurentis bllokon Spalleti-n te Italia: Federata të paguajë

Luciano Spalleti në stolin e Italisë ka humbur pikë si lëvizje. Edhe pse u pa si zëvendësuesi i denjë i Mancinit dhe favorit në garën me Antonio Conte, ish-tkeniku i Napolit është “peng” i një kontrate me klubin që nxori kampion në Serie A.

Për 3 milionë eurot që kanë bllokuar Spalletin ka folur edhe Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis duke iu përgjigjur ashpër Federatës Italiane të Futbollit.

Duke i kërkuar që të heqin dorë nga qëndrimet e tyre amatore, Presidenti i Napolit i kërkon FIGC-së që të paguajë klauzolën e veçantë që e lidh ende Spallettin me klubin e tij.

“Për sa i përket Federatës, duke vëzhguar historinë që po diskutohet, ajo që më duket më e habitshme është se kjo po ndodh pak javë para dy ndeshjeve shumë të rëndësishme për kombëtaren, duke iu nënshtruar dorëheqjes së trajnerit Roberto Mancini.

Lidhur me këtë, mendoj se ka dy pika kryesore për të cilat duhet të shprehem: nuk dini si të ruani marrëdhëniet me bashkëpunëtorët tuaj, duke i shtyrë ata të japin dorëheqjen; mungojnë instrumentet ligjore të përshtatshme për mbajtjen e tyre në burim, për përcaktimin e respektimit të kontratave të nënshkruara, edhe nëpërmjet parashikimit të penaliteteve specifike.

Dhe nëse zgjedhja e duhur është Spalletti, një trajner i madh me 25 vjet përvojë, i cili prodhoi futbollin më të mirë në Evropë sezonin e kaluar, duke i ofruar një pagë prej 3 milionë neto për tre vjet, nuk mund të ndaleni para supozimit (të paguajmë në emër të trajnerit) 1 milion bruto në vit për ta çliruar atë nga detyrimi kontraktual (angazhim jo vetëm ndaj Napolit por ndaj të gjithë miliona tifozëve të tij).”

De Laurentis vijon më tej duke theksuar se pagesa e klauzolës është një çështje parimore, dhe aspak ndikuese për arkat e Napolit apo të vetë atij.

Për Napolin, tre milionë euro nuk janë sigurisht shumë, dhe për Aurelio De Laurentiis janë edhe më pak. Por çështja në rastin konkret nuk është ajo e "parave", por një çështje parimore, e cila nuk ka të bëjë vetëm me Napolin, por të gjithë sistemin e futbollit italian, i cili duhet të heqë dorë nga qëndrimet amatore për të përballuar sfidat duke respektuar rregullat e të bërit biznes", shprehet ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos