Pak pasi kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat njoftoi se ka propozuar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë te Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë, për zhvillimet, ka reaguar Sali Berisha.
Berisha u ndal të fliste për gazetarët para hyrjes në sallën e Kuvendit, duke u shprehur se “maskat ranë” dhe “argati i Vuçicit në detyrim ekstrem shpalosi veten si një vasal i shpifur i indoktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Kosovë që me politikën e tij etno-nacionaliste të Serbisë së madhe është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan”.
“Sot Edi Rama në detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Teksti është shkruar në Beograd dhe rishkruajtur në Tiranë. Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Përbën një akt më të shëmtuarin në historinë e marrëdhënieve mes dy vende, që nxit dhe nuk qetëson konfliktin.
Realitetet duhet të lexohen siç janë. Në Kosovë ekziston KFOR-i me rezolutë të veçantë dhe detyrime të caktuara. Veprimet në zona të nxehta detyrimisht duhet të koordinohen me trupat e KFOR-it që kanë përgjegjësi para Kosovës por edhe me ndërkombëtarët.
Sa i përket Asociacionit e kam mbështetur, e mbështes dhe do ta mbështes si një të drejtë themelore, por theksoj se nuk mund të jetë kurrë jashtë kompetencave kushtetuese të Republikës së Kosovës. Çdo Asociacion që del jashtë kësaj kornize është rrezik madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Është një faktor jashtëzakonisht i rrezikshëm i Serbmadhisë. Dëshmi e një politike, e cila e ka zhytur Ballkanin në luftrat më të egra që bazoheshin në hegjemoninë e Beogradit ndaj vendeve të tjera.” (A2 Televizion)
Deklarata e Sali Berishës